Mungesa e ujit vaditës në qarkun e Fierit rrezikon bujqësinë.
Nëse defekti në kanalin e furnizimit pranë liqenit të Thanës nuk riparohet brenda tri ditëve, i gjithë prodhimi në sera rrezikon të thahet, pasi në tunelet e serrave temperatura është 10 gradë më e lartë se ambienti jashtë, gjë që nxit avullimin më të shpejtë të ujit.
“Produktet më delikate janë ato në sera, pasi temperaturat e larta do të ndikojnë në avullimin e shpejtë të ujit dhe këto perime mund të dëmtohen deri në tri ditë pa ujë”, tha Evan Rroça, ekspert i prodhimit bujqësor.
Nëse tokat nuk do të vaditen pas ditës së tretë, do të fillojë degradimi i perimeve.
“Pas ditës së tretë, nëse këto toka do të vazhdojnë të mbeten pa ujë, atëherë si fillim do të kemi 10% të humbjes së prodhimit. Kjo humbje do të rritet me radhë dhe pas një jave mund të jetë shumë më e madhe”, thotë eksperti.
Por kjo nuk do të thotë që të mbjellat në fushë janë të sigurta, pasi produktet si shalqiri dhe bostani kërkojnë ujë të vazhdueshëm gjatë gjithë sezonit. Pas riparimit të defektit, eksperti i prodhimit Evan Rroça thotë se fermerët nuk duhet të nxitojnë në vaditjen me sasi të mëdha uji.
“Fermerët duhet të bëjnë kujdes kur të furnizohen me ujë, pasi uji i tepërt e dëmton frutin”, shprehet Roça.
Defekti i tubit kryesor që furnizon me ujë 32.400 hektarë tokë bujqësore në bashkitë Fier, Lushnjë dhe Divjakë ndodhi në mbrëmjen e së shtunës. Kjo emergjencë kërkon riparim të menjëhershëm, në mënyrë që puna e fermerëve të mos shkojë dëm.
Top Channel