Burri plagos me thikë gruan në Pogradec, autori shoqërohet në komisariat

22/06/2026 14:08

Një incident është regjistruar këtë të hënë në Pogradec, ku bashkëshorti ka plagosur me thikë bashkëshorten në banesën e tyre në lagjen 4 të qytetit.

Dyshohet se çifti, Renato dhe Bleona Xhaja kanë pasur një konflikt të çastit dhe burri ka marrë thikën duke e plagosur të shoqen. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se burri vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Gruaja është dërguar në spitalin e Pogradecit ku po merr ndihmën mjekësore ndërsa do të niset drejt Tiranës për mjekim më të specializuar por deri më tani nuk ka rrezik për jetën.

Autori është shoqëruar nga policia e Pogradecit në ambjentet e komisariatit. Ndërkohë vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Mësohet se gruaja 29 vjeçare ka marrë 2 plagë, një në bark dhe një në krah. Bashkëshorti 30 vjeçar ndodhet në komisariatin e Pogradecit ku pritet të japë deklarimet për ngjarjen.

Çifti jeton në Greqi, por kanë ardhur me pushime te familjarët e tyre në Pogradec.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, kapet në flagrancë në banesë falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe shoqërohet në Komisariat 30-vjeçari.

Rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, Pogradec, shtetasi R. Xh., 30 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti në banesë ka plagosur me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen B. Xh., 28 vjeçe, e cila po merr mjekim në spital.

30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pogradec dhe po kryhen veprimet procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel