Netë tropikale/ Temperaturat do të ndihen deri në 41 gradë, parashikimi i motit për javën e ardhshme
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Gjeneralitetet”, duke zbuluar një laborator të përshtatur për falsifikimin e dokumenteve në fshatin Rrushkull, Durrës.
Në pranga kanë rënë tre persona, babë e bir, H.M., 53 vjeç dhe S.M., 24 vjeç, si dhe bashkëpunëtori i tyre E.V., 37 vjeç. Sipas hetimeve, ata dyshohet se falsifikonin diploma, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente të tjera për aplikime në institucione të ndryshme, kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, 2 vula false, 6 telefona celularë dhe 3 kompjuterë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
“Zbulohet një laborator për falsifikim të dokumenteve, kundrejt shumave 3000-5000 euro.
Sekuestrohen 46 dokumente (shkollore, gjyqësore, certifikimi dhe aplikimesh) të dyshuara të falsifikuara, 2 vula të dyshuara false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë.
Arrestohen 3 shtetas: babë e bir që kishin vënë banesën, në dispozicion të kësaj veprimtarie kriminale, dhe bashkëpunëtori i tyre.
Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimit e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, të dyshuar të përfshirë në mënyrë të organizuar, në falsifikim të dokumenteve, në një ambient të përshtatur për këtë qëllim, është finalizuar operacioni i koduar “Gjeneralitetet”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit H. M., 53 vjeç dhe S. M., 24 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. V., 37 vjeç.
Gjatë kontrolleve rezultoi se të arrestuarit kishin përshtatur banesën e shtetasve H. M. dhe S. M., në fshatin Rrushkull, Durrës, për falsifikim të dokumenteve si: diploma, dokumente shkollore të tjera, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente për aplikime në institucione të ndryshme. Në këtë ambient u gjetën 2 vula false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe dhjetëra dokumente të dyshuara false.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit, për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel