Zjarrvëniet, 29 persona të arrestuar dhe të proceduar në qershor dhe korrik Leximi i kërkesës për gjykim nga SPAK ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi është shoqëruar me tensione, akuza dhe gjoba.
Kur prokurori renditi episodin e lobimit përmes GSIS me një vlerë prej 443 mijë dollarësh, nga të cilat rreth 270 mijë u paguan nga Ardian Shatku, Ilir Meta kërkoi të bëjë komentet e tij, duke kërkuar se çfarë shkeljesh konkrete kishte kryer ai. Gjykata i kujtoi se duhej të dëgjonte deri në fund SPAK-un e më pas e kishte ai radhën, ndërsa Meta e akuzoi gjyqtarin si ekstremisht të njëanshëm. “Po trajtohem si terrorist ukrainas”, tha Meta, komenteve të të cilit më pas, gjatë renditjes së dyshimeve të prokurorisë për blerjen e një vile, iu bashkua edhe Monika Kryemadhi dhe avokati Cakrani.
“Gënjeni”, u shpreh Kryemadhi, pasi dëgjoi për komunikimet e saj të administruara në telefonin që iu bllokua të ëmës, gjithashtu e pandehur në një proces tashmë të veçuar dhe që sipas SPAK rezulton me një disbalancë prej 810 mijë eurosh. Kur Kryemadhi kërkoi që në seancë të qëndronte deri në fund, sipas saj, zëdhënësi i ri i gjykatës, që më herët ka qenë i angazhuar në SPAK, dhe të njoftojë për publikun “akuzat gazetareske”, shtoi e pandehura, gjykata i tërhoqi sërish vëmendjen dhe e gjobiti me 100 mijë lekë atë dhe njërin nga avokatët.
Avokati dhe Kryemadhi u gjobitën për mosrespektim të rregullave, shkelje të solemnitetit dhe prishje të qetësisë publike, raporton gazetarja Anila Hoxha.
SPAK renditi më tej akuzën e mosdeklarimit të shpenzimeve mjekësore dhe të shkollimit të fëmijëve në Londër. Ndërsa shpjegoi se si ishte blerë apartamenti i ish-çiftit, që nga 400 mijë dollarë, përveç marrjes së një kredie, pjesa dërrmuese u pagua përmes nënës së Fatime Kryemadhit.
SPAK lexoi listën e dëshmitarëve, mes tyre Josef Hajcek, Kastriot Ismailaj, Vojsava Ismailaj dhe një sërë politikanësh e biznesmenësh.
Sipas SPAK, do të pyeten edhe të pandehurit Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, si edhe Nasip Naço, Vangjel Tavo, Damian Gjiknuri, Ralf Gjoni, Milena Harito, Luan Rama dhe Endrit Brahimllari. Ilir Meta kërkoi të thirrej si dëshmitar edhe kryeministri Rama, pasi sipas tij propozimi për ndryshimin e ligjit për minierat ishte bërë nga PS. Por kjo kërkesë pritet të shqyrtohet kur të jetë radha e mbrojtjes, e cila do të deklarojë dëshmitarët e saj.
Gjatë ditës, Meta mori edhe një refuzim tjetër nga Apeli i Posaçëm, që nuk pranoi ndryshimin e masës, por kësaj radhe qetësinë e humbi avokati i tij, i cili akuzoi gjyqtaren.
“Ose është e pafatë, ose ka nevojë për ndihmë shëndetësore.”, u shpreh Kujtim Cakrani.
Top Channel