Dy studime të veçanta paralajmërojnë mbi ndikimin ekstrem që po shënojnë valët e të nxehtit në Francë, duke nxjerrë në pah në mënyrë të veçantë rrezikun e madh me të cilin përballen sidomos zonat e varfrat dhe personat që banojnë në godina me izolim të dobët.
Teksa Europa përgatitet për një të nxehtë rekord këtë qershor, me temperatura që në disa rajone pritet t`i afrohen 40 gradëve Celsius, studimet në fjalë evidentojnë pasojat serioze shëndetësore që kjo situatë ka pasur për Francën. Një studim i Oxfam mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike te shëndeti, në këtë vend nxehtësia shkakton rreth 5,400 vdekje në vit. Organizata joqeveritare paralajmëron për një emergjencë të vërtetë të shëndetit publik, e cila ende nuk po merret mjaftueshëm parasysh nga autoritetet.
Oxfam thekson se efektet e të nxehtit shkojnë shumë përtej dehidratimit tek të moshuarit. Rreziku për atak kardiak rritet me 7% gjatë valëve të të nxehtit, ndërsa vdekshmëria tek gratë dyfishohet në ditët më të nxehta. Kur këto episode zgjasin më shumë se një javë, rreziku i insuficiencës akute renale rritet me 70%. Oxfam vëren gjithashtu se ngrohja globale po thellon pabarazitë sociale.
Zonat më të pafavorizuara janë ato që preken më rëndë, me një vdekshmëri të vlerësuar në 31% krahasuar me zonat më të pasura gjatë verës së vitit 2025. Në të kundërt, banorët e 20% të lagjeve urbane më të pasura janë deri në dhjetë herë më pak të ekspozuar ndaj rreziqeve të të nxehtit ekstrem.
Edhe Fondacioni i Strehimit e mbështet këtë vlerësim, dhe pohon se lagjet e klasës punëtore rezultojnë më të goditurat, ndërsa përmend se 40% e shtëpive nuk kanë grila ose mbrojtje të mjaftueshme nga dielli.
Top Channel