“Nuk është një tekst përfundimtar, por një protokoll mirëkuptimi”/ Trump kërcënon Iranin: Nëse nuk sillen mirë, do fillojmë me bombardimet Irani e ka detyruar SHBA të hyjë në negociata për lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo ngre pyetje rreth rolit të SHBA si një garantues efektiv i sigurisë, pavarësisht epërsisë së tij ushtarake thonë ekspertët.
Sipas Presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi një marrëveshje paraprake me Iranin më 14 qershor 2026, ngushtica strategjike do të “rishpallet plotësisht e hapur”. Megjithatë, detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta dhe pritet që një deklaratë zyrtare të nënshkruhet në Gjenevë gjatë kësaj jave, ku do të rifillojnë edhe bisedimet direkte SHBA-Iran. Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës, kishte qenë pjesërisht e bllokuar pas përshkallëzimit të konfliktit, me Teheranin që përdori mjete asimetrike si mina dhe dronë detarë. Raportime të pakonfirmuara nga media iraniane sugjerojnë se në negociata është diskutuar edhe ideja e “tarifave” për kalimin e anijeve tregtare.
Zyrtarët amerikanë e kanë mohuar këtë, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka theksuar se ngushtica do të mbetet e hapur pa pagesa të tilla. Analistët vlerësojnë se zhvillimet tregojnë kufizimet e fuqisë amerikane në përballje me strategji asimetrike. Rebecca Lissner nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë (CFR) thotë se konflikti ka ekspozuar vështirësinë e SHBA-së për ta kthyer fuqinë ushtarake në fitore strategjike, duke argumentuar se “SHBA gjendet në një pozicion më të dobët se në fillim të konfliktit”.
Sipas saj dhe ekspertëve të tjerë, Irani ka arritur të ndikojë ndjeshëm lirinë e lundrimit pa një flotë të madhe konvencionale, duke përdorur taktika të shpërndara dhe aleatë rajonalë si Huthit në Jemen dhe Hezbollahu në Liban. Europa ndërkohë po kërkon një rol më aktiv në sigurimin e ngushticës, ndërsa SHBA duket se preferon një qasje më të kufizuar bashkëpunimi me aleatët europianë.
Megjithëse tregjet janë qetësuar pas lajmit për rihapjen e mundshme të rrugës detare, pasiguria mbetet e lartë. Analistët paralajmërojnë se Irani mund të ruajë ndikim afatgjatë mbi një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale, duke e kthyer çështjen në një sfidë të vazhdueshme për rendin ndërkombëtar dhe rolin e SHBA-së në të.
Top Channel