Rritet përdorimi i drogës sintetike/ Mjekët në QSUT shohin më shumë raste mes të rinjve, ndikojnë festat

17/06/2026 12:06

Ekstazi dhe konsumi i drogave sintetike kanë rritur fluksin e të rinjve në urgjencën e shërbimit të Toksikologjisë në QSUT me fillimin e sezonit të plazheve apo festave të ndryshme që po organizohen në qytete bregdetare dhe jo vetëm. Shefi i shërbimit të Toksikologjisë, Andrin Tahiri, ngre me shqetësim rritjen e konsumit të drogave sintetike.

“Vihet re rritje e fluksit, sidomos e drogave sintetike që prodhohen në laborator. Kjo e bën më të tmerrshme pasi principi aktiv ndryshon dhe efektet janë të paparashikueshme”, shprehet Tahiri.

Tahiri shprehet i shqetësuar për mungesën e informacionit mbi dëmet që shkaktojnë sidomos drogat sintetike që prodhohen në laborator.

Të rinjtë që konsumojnë këto droga referojnë se mund ta sigurojnë shumë lehtë në rrjetet sociale, çka përbën një tjetër shqetësim.

Shefi i shërbimit të Toksikologjisë thotë se ka një rënie të stigmës pasi është rritur numri i të rinjve që konsumojnë substanca dhe që kërkojnë ndihmë mjekësore, psikologjike, por po ashtu edhe e prindërve të tyre kur konstatojnë probleme te fëmijët.

Top Channel