Çmimet globale të naftës kanë rënë në nivelin më të ulët të tre muajve të fundit, pas njoftimit për një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që synon uljen e tensioneve dhe rihapjen e rrugëve kryesore të furnizimit me energji.
Nafta Brent, referenca globale, ra me 4.9% duke u vendosur në 83.05 dollarë për fuçi, ndërsa nafta West Texas Intermediate (WTI) ra me 5.4% në 80.30 dollarë për fuçi.
Rënia vjen pasi SHBA dhe Irani njoftuan se kanë arritur një marrëveshje për të ndalur armiqësitë dhe për të rihapur Strait of Hormuz, një nga pikat më strategjike të transportit të naftës në botë.
Sipas deklaratave paraprake, marrëveshja parashikon lehtësimin e kufizimeve dhe rikthimin e qarkullimit të lirë detar në rajon, çka ka ndikuar menjëherë në uljen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht rënies, çmimet e naftës mbeten ende rreth 10 dollarë për fuçi më të larta se para përshkallëzimit të konfliktit, duke reflektuar pasigurinë që ende ekziston në treg.
Analistët theksojnë se tregu i energjisë do të duhet kohë për t’u stabilizuar plotësisht, ndërsa mbetet për t’u parë se sa shpejt do të rikthehen flukset normale të naftës nga Lindja e Mesme.
Top Channel