Tetë anëtarë të një familjeje jetonin me frikën se çatia mund t’u shembej mbi kokë, Fiks Fare i ndihmoi të gjenin një strehë më të sigurt

12/06/2026 22:17

Një familje me tetë anëtarë në fshatin Garunjë të Njësisë Administrative Pajovë jetonte prej vitesh në kushte tepër të vështira, në një banesë të amortizuar që rrezikonte të shembej nga momenti në moment. Pas interesimit të emisionit investigativ Fiks Fare, Bashkia Peqin ndërhyri duke siguruar strehim të përkohshëm për familjen.

Fiks Fare udhëtoi drejt fshatit Garunjë, një zonë e thellë rurale ku sot kanë mbetur pak banorë. Aty jeton familja Tafa, e cila përpiqet të mbijetojë në një banesë të ndërtuar dekada më parë dhe që prej vitesh nuk ka njohur asnjë investim.

Pamjet tregojnë qartë gjendjen alarmante të shtëpisë. Çatia është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur, ndërsa çdo reshje shiu apo erë e fortë përbën rrezik serioz për jetën e banorëve.

Kryefamiljari, Sadik Tafaj, rrëfen se përpiqet të mbajë familjen në kushte tepër të vështira. Nga tetë anëtarët e familjes, tre vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Njëri prej djemve është i verbër dhe i diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor. Ndërsa djali tjetër, Dorjani, mundohet të ndihmojë familjen pavarësisht problemeve të tij shëndetësore.

Dorjani është i martuar dhe baba i tre fëmijëve të vegjël, të cilët jetonin në të njëjtën banesë të rrezikshme. Për familjen, çdo ditë shoqërohej me frikën se çatia mund të shembej mbi kokat e tyre.

Sadik Tafaj shprehet se dëshira e tij më e madhe ishte vetëm një strehë e sigurt për familjen.

Për të kuptuar nëse institucionet kishin dijeni për këtë rast, gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan Njësisë Administrative Pajovë. Administratori i njësisë pranoi se e njihte situatën dhe se kishte dërguar disa herë kërkesa pranë Bashkisë Peqin për të ndërhyrë. Sipas tij, gjendja e familjes ishte evidentuar prej kohësh, por nuk kishte pasur asnjë reagim konkret.

Ndërkohë, në Bashkinë Peqin situata rezultoi ndryshe. Drejtori i Shërbimit Social deklaroi se nuk kishte dijeni për familjen Tafaj dhe se emri nuk i thoshte asgjë. Vetëm pas interesimit të Fiks Fare ai premtoi se rasti do të verifikohej menjëherë.

Edhe drejtori i Emergjencave Civile pohoi se nuk kishte informacion për këtë familje dhe se nuk kishte marrë njoftime zyrtare për gjendjen e tyre, duke garantuar se institucioni do të merrej me rastin.

Pas vënies në dijeni nga Fiks Fare, Bashkia Peqin ndërhyri për të gjetur një zgjidhje emergjente. Familja Tafa u sistemua përkohësisht në ambientet e ish-shkollës së fshatit Leçin, duke u larguar nga banesa që rrezikonte jetën e tyre çdo ditë.

Pas shumë vitesh në kushte të vështira dhe nën një çati që mund të shembej në çdo moment, familja ka tashmë një strehë më të sigurt. Mes emocioneve, kryefamiljari Sadik Tafaj falënderoi Fiks Fare për interesimin dhe ndërhyrjen që solli zgjidhjen e problemit të familjes së tij.

 

Top Channel