Toka punohet ende me krahë/ Në Topojan të Kukësit tradita vazhdon, por fshati po zbrazet. Fermerët: S’kemi forcë pune

11/06/2026 15:28

Nga qindra familje që jetonin këtu tre dekada më parë, sot kanë mbetur vetëm pak.

Fshati Topojan në Bashkinë e Kukësit është një nga shembujt më të qartë të zbrazjes së zonave malore nga emigrimi. Në fillim të viteve ’90, fshati numëronte rreth 370 shtëpi, ndërsa sot më pak se 70 vazhdojnë të jenë të banuara.

Largimi ka prekur kryesisht të rinjtë, të cilët ndër vite kanë zgjedhur emigracionin ose qytetet e mëdha në kërkim të mundësive më të mira për jetesë. Në shumë prej shtëpive që shihen sot të mbyllura, dikur jetonin familje të tëra.

Megjithëse zona njihet për traditën në blegtori dhe bujqësi, mungesa e krahut të punës ndihet çdo vit e më shumë. Patatja, fasulja dhe thekra janë ndër kulturat kryesore që kultivohen nga banorët e mbetur.

Por terreni i pjerrët e bën të vështirë përdorimin e mjeteve bujqësore, ndaj puna vazhdon të kryhet kryesisht me krah.

Rrugicat që dikur gumëzhinin nga lëvizja e banorëve dhe zërat e fëmijëve sot janë nën pushtetin e bimësisë dhe shkurreve. Natyra po rimerr dalëngadalë hapësirat e braktisura, duke fshirë gjurmët e jetës që dikur gjallëronte këtë fshat malor.

Banorët që kanë mbetur thonë se pa më shumë mbështetje për bujqësinë, blegtorinë dhe pa mundësi për të rinjtë, largimi i popullsisë do të vazhdojë, duke rrezikuar që fshatra si Topojani të mbeten vetëm në kujtesën e atyre që ende jetojnë aty.

Top Channel