Vrasja e 11-vjeçares Lyhana trondit Francën, protesta të shumta kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë

09/06/2026 18:01

Franca është tronditur nga vrasja e 11-vjeçares Lyhanna, trupi i së cilës u gjet javën e kaluar në një fermë rreth 10 kilometra larg qytetit Fleurance, në jugperëndim të vendit. Vajza ishte zhdukur gjashtë ditë më parë pasi kishte dalë nga shkolla dhe kërkimet intensive për të përfunduan në mënyrë tragjike.

Për ngjarjen është arrestuar 41-vjeçari Jérome Barella, babai i një shoqeje të viktimës. Ai dyshohet se e mori vajzën me automjetin e tij ditën e zhdukjes. Megjithëse mohon çdo përfshirje në vrasje, hetimet kanë zbuluar se Barella ishte denoncuar më herët për abuzim seksual ndaj një vajze 10-vjeçare dhe ishte përmendur edhe në raste të tjera të ngjashme.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh në Francë, pasi rezulton se, pavarësisht denoncimeve dhe provave mjekësore që konfirmonin abuzimin ndaj një të miture, i dyshuari nuk ishte marrë asnjëherë në pyetje nga policia gjatë nëntë muajve të fundit.

Mbi 60 mijë persona dolën në protesta në mbarë vendin, duke akuzuar autoritetet për neglizhencë dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Gérald Darmanin. Shumë protestues besojnë se nëse institucionet do të kishin vepruar me kohë ndaj denoncimeve, vrasja e Lyhanna-s mund të ishte parandaluar.

Ministri Darmanin ka pranuar se rasti ka zbuluar “dështime tronditëse dhe të papranueshme” në funksionimin e institucioneve shtetërore, por ka refuzuar të largohet nga detyra. Ai theksoi se problemi nuk lidhet me mungesën e ligjeve apo fondeve, por me faktin që akuzat për abuzim seksual ndaj të miturve nuk janë trajtuar me prioritetin e duhur.

Ndërkohë, qeveria franceze ka paralajmëruar masa më të ashpra kundër abuzuesve seksualë, përfshirë mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm për përdhunuesit serialë të fëmijëve.

Rasti i Lyhanna-s ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka hapur një debat kombëtar mbi dështimet e sistemit të drejtësisë në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzuesit e njohur për autoritetet.

Top Channel