Rrëzimi i helikopterit amerikan në Ngushticën e Hormuzit, Trump akuzon Iranin dhe kërcënon: SHBA do t’i përgjigjet këtij sulmi
Tensione dhe shqetësim është regjistruar në Belfast pas një sulmi të rëndë me thikë që ndodhi në veri të qytetit.
Një burrë mbeti i plagosur rëndë, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për shkak të demonstratave të paralajmëruara për mbrëmjen e së martës.
Sipas informacioneve të bëra publike nga policia, incidenti ndodhi rreth orës 22:30. Kur autoritetet mbërritën në vendngjarje, i dyshuari ishte gjetur mbi viktimën, e cila ndodhej e shtrirë në rrugë me një thikë pranë fytit. Sulmi u ndërpre falë ndërhyrjes së kalimtarëve, të cilët ndihmuan në neutralizimin e autorit deri në mbërritjen e policisë.
Viktima, një burrë mes 40 dhe 50 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Ai ka pësuar lëndime serioze në sy, si dhe plagë me thikë në fytyrë dhe në shpinë. Dëshmitarët kanë deklaruar se e dëgjuan atë duke bërtitur për ndihmë para se të transportohej me urgjencë nga shërbimet mjekësore.
Pranë vendit të ngjarjes u gjet një thikë kuzhine, ndërsa i dyshuari, një burrë 30-40 vjeç me origjinë nga Sudani dhe me leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar, u arrestua me akuzën e tentativës për vrasje. Sipas autoriteteve, ai banonte në zonën ku ndodhi sulmi dhe më parë kishte jetuar në Dublin të Irlandës.
Hetuesit kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka asnjë tregues që ngjarja të ketë lidhje me terrorizmin, megjithëse rrethanat e plota të incidentit mbeten ende nën hetim.
Policia vlerësoi qytetarët që ndërhynë për të shpëtuar viktimën, duke theksuar se veprimet e tyre ishin vendimtare për të shmangur pasoja edhe më të rënda.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi përpara protestave të planifikuara në Belfast, ndërsa kanë njoftuar se prania e forcave të rendit do të rritet gjatë ditëve në vijim. Bizneseve lokale u është kërkuar të vazhdojnë aktivitetin normal dhe të mos mbyllin dyert për shkak të tensioneve të krijuara pas sulmit.
Top Channel