Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Kosovë rikthyen një dilemë të njohur të politikës kosovare: a mjaftojnë numrat për të krijuar institucione funksionale, kur mungon vullneti politik për kompromis?

Në pamje të parë, rezultati zgjedhor krijon hapësirë për formimin e një qeverie të re. Asnjë parti nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, por kombinimet e mundshme parlamentare ekzistojnë.

Megjithatë, përvoja e viteve të fundit ka treguar se aritmetika parlamentare nuk është domosdoshmërisht garanci për stabilitet politik. Përkundrazi, polarizimi i thellë mes partive dhe raportet e tensionuara ndërmjet liderëve politikë rrezikojnë ta shndërrojnë edhe këtë rezultat në një tjetër kapitull të ngërçit institucional, thotë REL.

Sipas të dhënave te para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike me 42.91 për qind të votave. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.

Ky konfigurim politik krijon disa skenarë të mundshëm për formimin e institucioneve, por secili prej tyre shoqërohet me pengesa të konsiderueshme politike. Pas dy vjetësh krizash institucionale, zgjedhjesh të përsëritura dhe përplasjesh të vazhdueshme politike, rruga drejt krijimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit mbetet larg së qeni e sigurt, shprehen ekspertët, te cilët vlerësojnë se sfida kryesore nuk qëndron te mungesa e formulave qeverisëse, por te mungesa e besimit dhe vullnetit politik për t’i bërë ato funksionale.

Në këtë situatë, sipas tyre, Kosova ndodhet përballë dy skenarëve: një marrëveshje politike që siguron stabilitet institucional, ose një cikël i ri bllokadash që mund të çojë në zgjedhje të reja.

 

 

Top Channel