Peshkaqeni i bardhë i madh shfaqet pranë zhytësve në Mesdhe, momenti i rrallë filmohet nën ujë

08/06/2026 16:19

Një grup zhytësish vullnetarë që po merrnin pjesë në një operacion pastrimi të rrjetave të braktisura në Ngushticën e Siçilisë përjetuan një takim të pazakontë me një nga grabitqarët më të rrallë të detit.

Teksa punonin në një thellësi prej rreth 40 metrash pranë një anijeje të mbytur, ata u përballën me një peshkaqen të bardhë të madh, i cili iu afrua grupit me kuriozitet.

Sipas zhytësve, peshkaqeni rrethoi disa herë ekipin nën ujë, duke qëndruar për pak minuta pranë tyre përpara se të largohej qetësisht në thellësitë e detit. Pavarësisht surprizës dhe emocionit të madh, ata arritën të filmonin momentin, duke regjistruar atë që besohet të jetë një nga pamjet e para nënujore të një peshkaqeni të bardhë të rritur në Detin Mesdhe.

Derk Remmers, drejtues i degës gjermane të organizatës Ghost Diving dhe pjesë e ekipit të zhytësve, tha se takimi ishte krejtësisht i papritur. Ai tregoi se peshkaqeni nuk shfaqi asnjë sjellje agresive, por dukej i qetë dhe kurioz ndaj pranisë së njerëzve.

“Ne mbetëm të habitur. Ishte një kafshë shumë e madhe dhe askush nuk e priste ta shihte aty. Peshkaqeni dukej i relaksuar dhe vetëm na vëzhgonte. Kur filluam të nxirrnim më shumë flluska ajri, ai u largua ngadalë drejt detit të hapur”, u shpreh Remmers.

Takimi ka ngjallur interes të madh edhe në komunitetin shkencor. Biologët detarë e konsiderojnë videon një dëshmi të vlefshme për studimin e peshkaqenit të bardhë në Mesdhe, një specie e rrallë dhe e kërcënuar, për të cilën informacionet janë të kufizuara.

Studiuesi Dr. Carlo Cattano nga Qendra Detare e Siçilisë theksoi se shumica e të dhënave mbi peshkaqenët e bardhë në Mesdhe vijnë nga ekzemplarë të kapur ose të ngordhur, ndaj pamje të tilla në habitatin natyror kanë vlerë të jashtëzakonshme shkencore.

Zhytësit ndodheshin në zonë për të larguar të ashtuquajturat “rrjeta fantazmë”, pajisje peshkimi të humbura ose të braktisura që vazhdojnë të kapin dhe të vrasin organizma detarë për vite me radhë. Sipas organizatave mjedisore, këto rrjeta përbëjnë një nga kërcënimet më të mëdha për jetën detare në Mesdhe.

Ekipi arriti të rikuperojë një sasi të konsiderueshme rrjetash nga anija e mbytur, të cilat do të riciklohen ose do të asgjësohen në mënyrë të sigurt. Ndërsa operacioni kishte për qëllim mbrojtjen e ekosistemit detar, takimi i papritur me peshkaqenin e bardhë u kthye në një nga momentet më të veçanta dhe të rralla të regjistruara ndonjëherë në ujërat e Mesdheut.

Top Channel