Kombëtarja shqiptare e U21 nuk ia del dot përballë 21 vjeçarëve te Italisë në miqësoren e zhvilluar në Fontafredda.

Kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga Alban Bushi u mposhtën nga bashkëmoshatarët e tyre me rezultatin e ngushtë 1-0 duke regjistruar humbjen e parë pas 5 ndeshjeve.

Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0, ndërkohë që gjërat ndryshuan pas pushimit të ndeshjes. Në minutën e 63, Calvani arriti të gjejë rrugën e rrjetës për Të Kaltrit e vegjël duke i dhënë avantazhin 1-0. 

Të besuarit e Alban Bushit tentuan me Tomën, Përndrecën dhe Fatajin, por pa asnjë sukses. Në fund rezultati mbeti 1-0 për Italinë që mori këtë fitore ndaj Kombëtares U21. Vlen të theksohet se të gjitha këto miqësore, Kombëtarja U21 i zhvillon në kuadër të përgatitjeve për Evropianin e 21 vjeçarëve të vitit 2027 me Shqipërinë që është një prej vendeve organizatore të këtij kompeticioni të rëndësishëm.

Top Channel