Teherani i bën thirrje Bejrutit pas deklaratave kundër Hezbollahut nga presidenti libanez: Armiku juaj i vërtetë është izraelit, shpëtoni vendin tuaj

06/06/2026 09:39

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i bëri thirrje sot Presidentit libanez Joseph Aoun, i cili dje i kërkoi Teheranit të ndalojë “ndërhyrjen” në punët e vendit të tij.

“Bazuar në deklaratat e Aoun, dikush mund të besojë se Irani është ai që pushton një të pestën e Libanit, ka zhvendosur një të katërtën e libanezëve dhe bombardon vendin e tij çdo ditë”, shkroi Araghchi në X, duke iu referuar Izraelit pa e përmendur atë.

“Nëse Libani do të ishte një mjet negociues për Iranin, ne do të kishim arritur një marrëveshje shumë kohë më parë. Shpëtoni Libanin nga armiku juaj i vërtetë, President”, shtoi ai.

Në një intervistë me CNN të premten, Aoun akuzoi Iranin se po përdor Libanin si një mjet negociues në bisedimet e tij me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, në një nga kritikat e tij më të ashpra deri më sot ndaj Teheranit dhe aleatit të tij libanez, Hezbollahut.

“Populli libanez po paguan çmimin për hir të interesave të Iranit”, u ankua Aoun. “Nuk është vendi juaj, është i yni. Ju nuk duhet të ndërhyni në vendin tonë”, shtoi ai.

“Ata po e përdorin Libanin si një monedhë negociuese në bisedimet e tyre me Shtetet e Bashkuara. Është e papranueshme”, tha Aoun i revoltuar.

Irani e ka kushtëzuar çdo marrëveshje paqeje me Shtetet e Bashkuara me përfundimin e luftimeve në Liban. Ndërkohë, të enjten, Garda Revolucionare e Iranit kërkoi tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Libani.

Në të njëjtën ditë, Hezbollahu hodhi poshtë një plan të ri armëpushimi të rënë dakord nga qeveritë libaneze dhe izraelite me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, pasi një armëpushim i shpallur më 17 prill nuk u respektua kurrë. Një kusht kyç i kësaj marrëveshjeje është që organizata të pushojë sulmet dhe të tërheqë luftëtarët e saj nga Libani jugor.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha në një deklaratë me shkrim të enjten se marrëveshja është refuzuar nga “një pjesë e madhe e popullit libanez”.

Duke iu përgjigjur Qassem, Aoun komentoi dje: “Hezbollahu duhet ta kuptojë se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të ulet dhe të bisedojë, nuk ka mjete të tjera për të shpëtuar atë që ka mbetur përveç negociatave dhe diplomacisë.”

“Kjo ka të bëjë me popullin libanez, jo me popullin e Naim Qassemit” shtoi Aoun, duke theksuar se “shumica e popullit libanez është e ngopur” me luftën midis Izraelit dhe Hezbollahut.

“Izraeli mund ta rrafshojë të gjithë vendin, por nuk do ta arrijë kurrë qëllimin e tij. Ai u përpoq në Gaza. Hamasi ende ka kërkesa, apo jo?”, tha ai

“Kemi një mundësi të shkëlqyer për t’i dhënë fund gjendjes së armiqësisë midis Libanit dhe Izraelit”, tha presidenti libanez, duke shtuar, megjithatë, se çështja e Hezbollahut mund të zgjidhet vetëm brenda vendit.

“ju duhet të tregoni një vullnet të caktuar për t’i dhënë fund kësaj lufte. Ne jemi gati, kemi vullnetin dhe angazhimin, apo jo?”, tha presidenti libanez duke iu drejtuar Izraelit.

Hezbollahu e përfshiu Libanin në luftën në Lindjen e Mesme më 2 mars, pasi nisi sulme kundër Izraelit në hakmarrje për sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Top Channel