Me thirrjet “Anuloni projektin”, “Atdheu nuk shitet” dhe me slogane politike drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, qindra qytetarë vlonjatë zhvilluan një protestë në qytetin bregdetar.
Rreth 200 protestues, mes tyre dhjetëra të rinj, marshuan përgjatë Shëtitores bregdetare për t’u ndalur më pas në Sheshin e Flamurit, ku mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit që ka ngjallur debate në opinionin publik.
Gjatë marshimit, protestuesit mbanin pankarta me mesazhe kundër projektit, duke kërkuar anulimin e tij dhe mbrojtjen e interesit publik. Në tubim nuk munguan as thirrjet politike kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit shprehën pakënaqësi për mënyrën se si, sipas tyre, po menaxhohen çështjet që lidhen me zhvillimin e territorit dhe pasuritë publike.
Organizatorët theksuan se protesta synon të sensibilizojë opinionin publik dhe institucionet për të rishikuar projektin, duke kërkuar më shumë transparencë dhe konsultim me komunitetin. Ata deklaruan se kundërshtimi i tyre nuk do të ndalet me këtë tubim dhe paralajmëruan vijimin e reagimeve qytetare edhe në ditët në vijim.
Protesta u zhvillua pa incidente, nën praninë e forcave të policisë që monitoruan mbarëvajtjen e saj. Në përfundim, pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për anulimin e projektit dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet që prekin të ardhmen e qytetit dhe të zonave me rëndësi historike e publike.
Top Channel