Merkatoja e kësaj vere do të jetë e ndezur dhe Julian Alvarez është protagonist kryesor. Tashmë ka nisur telenovela në lidhje me të ardhmen e tij, ku çdo ditë shfaqet nga një episod i ri

Kështu në Spanjë, në orët e fundit po flitet për një përfshirje të Arsenalit në garë për të siguruar shërbimin e Alvarez. Është e përditshmja AS, ajo që flet për këtë duke theksuar se klubi anglez parashikon të nisë bisedimet me Atletico Madrid për të tentuar blerjen e kartonit të sulmuesit argjentinas. Los Colchoneros gjithnjë kanë deklaruar se nuk e shesin Julian Alvarez me këtë të fundit që në fakt dëshiron kalimin te Barcelona. Por Atletico Madrid as ka ndërmend ta lejojë kalimin e tij në Katalonjë dhe këmbëngul; ose të paguhen 500 milionë ose nuk bëhet gjë. Arsenali dhe PSG janë dy klube të tjerë që sipas AS, agjenti i Alvarez ka hyrë në bisedime me të dy klubet që kanë fuqinë ekonomike për të blerë kartonin e lojtarit për 150 milionë euro. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, ndërkohë që nga Argjentina publikohet një tjetër skenar.

Sipas Dsports Radio futbollisti ka arritur një marrëveshje me Barcelonën për të nënshkruar një kontratë 5 vjeçare. Gjithnjë sipas këtij transmetuesi, ajo që pritet është arritja e marrëveshjes mes dy klubeve që mund të ndodhë për vlerën prej 120 apo 125 milionë euro. Tashmë ajo që mbetet për t’u parë është se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim me këtë telenovelë të merkatos së transferimeve, ndërkohë që Julian Alvarez tashmë ndodhet në Kansas City për t’u përgatitur për Botërorin që do të nisë pas pak ditësh. Argjentina përpara eventit madhor do të luajë miqësore me Hondurasin dhe Islandën në 6 dhe 9 qershor.

Top Channel