Kombëtarja shqiptare U21 vijon përgatitjet në Durrës në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të muajit qershor ndaj Sllovenisë dhe Italisë.

Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi dhe stafit teknik, kuqezinjtë janë stërvitur rregullisht gjatë këtyre ditëve, duke punuar për të qenë sa më të përgatitur për dy sfidat e rëndësishme ndërkombëtare. Pasditen e sotme, ekipi do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në Durrës, ndërsa ditën e mërkurë do të udhëtojë drejt Italisë.

Ndeshja e parë, ajo me Slloveninë do të zhvillohet më 5 qershor, në orën 20:15, në stadiumin “Ajdovščina”. Ndërsa në 8 qershor kuqezinjtë e vegjël do të luajnë me Italinë, një ndeshje e programuar për t’u luajtur në stadiumin “Omero Tognon”.

Dy ndeshjet miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e grupit dhe për të vijuar përgatitjet në kuadër të kampionatit Evropian U21 të 2027.

 

Top Channel