Robert Lewandowski e ka mbyllur etapën e tij te Barcelona dhe tani duhet të gjejë një destinacion të ri. Sulmuesi polak ka marrë një propozim për një kontratë me pagë rreth 20 milionë euro plus bonuset, një informacion që e jep gazetari polak Tomasz Wlodarczyk, shumë pranë Lewandowskit, autor i 120 golave të shënuar me fanelën e Barcelonës.

Në të vërtetë oferta në fjalë nuk vjen drejtpërdrejt dhe në mënyrë zyrtare nga Fenerbahçe, por nga Hakan Safi, një prej kandidatëve që garon për postin e presidentit të klubit në zgjedhjet që do të mbahen në 6 dhe 7 qershor.

Sipas informacionit të publikuar, Safi i ka dërguar Lewandowskit ofertën formale si pjesë e projektit të tij elektoral. Sipërmarrësi kërkon të sfidojë Aziz Yildirim, edhe ai në garë në këtë proces elektoral. Fushata elektorale te Fenerbahçe është karakterizuar nga premtime ambicioze për ta kthyer klubin në majën e futbollit turk. Në këtë kontekst blerja e mundshme e Lewandowskit është shndërruar në një prej argumentave të Safi për të bindur anëtarët e klubit në këto zgjedhje

Gjithsesi, operacioni është ende larg konkretizimit. Sipas të njëjtave burime, nuk ekzistojnë deklarata të qarta dhe asnjë pozicion përfundimtar nga ana e sulmuesit në lidhje me këtë propozim. Për më të tepër, këmbëngulet se çdo lëvizje duhet analizuar me kujdes deri në përfundim të procesit elektoral. Në momentin që do të mësohet emri i fituesit, oferta do të vlerësohet bashkë me propozimet e tjera që Robert Lewandowski do të marrë.

Top Channel