Andoni Iraola do të jetë trajneri i ri i Liverpool-it. Klubi nga “Anfield” ka arritur një marrëveshje në parim me strategun spanjoll, i cili vjen si pasues i drejtpërdrejtë i Arne Slot të larguar.

Sipas raportimeve të fundit të konfirmuara nga eksperti i merkatos Fabrizio Romano dhe mediat britanike, bisedimet kanë avancuar me hapa galopantë gjatë 48 orëve të fundit, duke çuar në shtrëngimin e duarve mes palëve. Iraola ishte i lirë në treg (free agent) pasi mbylli kontratën e tij me Bournemouth në fund të këtij sezoni, çka ia ka lehtësuar rrugën Drejtorit Sportiv të Liverpool-it, Richard Hughes, për të siguruar firmën e tij.

Lëvizja vjen si një përgjigje e rreptë e bordit të Liverpool-it pas një sezoni zhgënjyes në Premier League, ku skuadra nën drejtimin e Slot nuk shkoi më shumë se vendi i pestë në tabelë. Në krahun tjetër, Iraola vjen me petkun e një “mrekullibërësi”. Ai udhëhoqi Bournemouth-in drejt një vendi historik të gjashtë në kampionat, ku spikati mbi të gjitha gjysma e dytë e sezonit me një ecuri mbresëlënëse prej 18 ndeshjesh radhazi pa asnjë humbje.

Te Bournemouth, spanjolli u vlerësua lart për lojën sulmuese, pressingun e lartë dhe rritjen e talenteve të reja si Rayan apo Eli Junior Kroupi. Ky stil agresiv dhe modern pritet të jetë shtylla e projektit të ri të Liverpool-it, që kërkon të rikthehet menjëherë në elitën e futbollit europian. Zyrtarizimi i plotë me dokumentacion dhe prezantimi i Iraolës në “Anfield” pritet të bëhet brenda pak orësh.

Top Channel