Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji me Izraelin dhe Luksemburgun. Në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ kuqezinjtë kanë zhvilluar stërvitjen e parë për këto dy përballje, që është njëkohësisht edhe stërvitja e parë me stafin e ri teknik me në krye Rolando Maran.

Në këtë seancë, u stërvit e gjithë skuadra me përjashtim të Naser Alijit, që kreu një fazë rikuperimi pasi vinte pas ndeshjes të së dieles me Dinamon, ndërkohë që edhe Ardian Ismajli më herët e la grumbullimin e kombëtares për probleme fizike. Grupi i futbollistëve u stërvit fillimisht në palestër dhe më pas zbriti në fushë për ushtrime të ndryshme taktike.

Pasditen e së martës, Kombëtarja do të zhvillojë edhe seancën e fundit zyrtare stërvitore në ‘Air Albania Stadium’ në orën 17:00 që do të paraprihet nga konferenca për shtyp e trajnerit Maran dhe një prej futbollistëve. Kombëtarja Shqiptare do të luajë ndaj Izraelit të mërkurën e 3 qershorit në Air Albania Stadium në orën 20:00 një sfidë kjo që do të transmetohet në platformën Digitalb.

Top Channel