Vetëm 24 orë pas dramës dhe lotëve në Puskás Aréna të Budapestit, ku trofeu i Champions League u iku nga duart në sekondat e fundit të penalltive, kampionët e rinj të Anglisë janë rikthyer në shtëpi.

Ndonëse me shijen e hidhur të dështimit europian që ende djeg, skuadra ka gjetur forcën për të ngritur kokën lart dhe për t’u dorëzuar në përqafimin e njerëzve të saj.

Rrugët e Londrës veriore janë pushtuar sot nga një lumë i pafundëm tifozësh, të cilët kanë bllokuar çdo cep për të parë paradën me autobus të hapur të heronjve të tyre. Ky nuk është një festim i zakonshëm, por një çlirim i madh legjitim. “Topçinjtë” po festojnë fitimin historik të Premier Ligës, një trofe madhështor që i mungonte klubit prej plot 22 vitesh.

Gjatë paradës, lojtarët janë parë të shkarkojnë të gjithë tensionin e grumbulluar në Europë, duke shkëmbyer buzëqeshje, shampanjë dhe duke ndarë momente magjike me fansat që nuk i lanë vetëm për asnjë moment. Futbolli i tillë është: të thyen zemrën të shtunën, por të jep një arsye sublime për të festuar të dielën. Anglia tashmë ka një mbret të ri, dhe ai është kuqezi.

Top Channel