Zbulohet arsyeja e largimit të Pep Guardiolës nga Manchester City, mesfushori: Nuk kishte më energji, ndihej keq kur linte lojtarët jashtë 11-shes

30/05/2026 11:38

Pas një dekade të mbushur me trofe dhe suksese te Manchester City, largimi i Pep Guardiolës vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në futbollin europian.

Megjithëse trajneri spanjoll nuk ka dhënë një shpjegim të detajuar për vendimin e tij për t’i dhënë fund aventurës në “Etihad”, një ish-lojtar i drejtuar prej tij ka zbuluar detaje interesante mbi arsyet që mund ta kenë shtyrë drejt këtij vendimi.

Bëhet fjalë për mesfushorin holandez Tijjani Reijnders, i cili në një intervistë për mediat holandeze ka treguar se Guardiola u kishte shprehur lojtarëve lodhjen emocionale të akumuluar gjatë viteve në krye të skuadrës angleze.

“Ai është një trajner shumë intensiv dhe një gjeni i futbollit. Më vjen keq që punova me të vetëm një sezon, por ishte vendimi i tij”, u shpreh Reijnders.

Sipas mesfushorit holandez, Guardiola kishte pranuar se pas dhjetë vitesh në krye të Manchester Cityt nuk kishte më energjinë e nevojshme për të përballuar presionin e përditshëm që sjell menaxhimi i një skuadre të nivelit më të lartë.

“Ai na tha se nuk kishte më energji për t’u shpjeguar lojtarëve pse nuk ishin në formacion ose pse nuk luanin. Pas dhjetë vitesh, kjo ishte e mjaftueshme. Dhe unë e kuptoj”, deklaroi Reijnders.

Megjithatë, holandezi theksoi se intensiteti i Guardiolës ka qenë gjithmonë një nga pikat e tij më të forta si trajner. “Kur them se është intensiv, e them në kuptimin më pozitiv. Ai përpiqet të nxjerrë maksimumin nga çdo futbollist”, shtoi ai.

Ndërkohë, e ardhmja e Guardiolës mbetet ende e paqartë. Mediat ndërkombëtare kanë aluduar se trajneri katalanas mund të nisë një kapitull të ri në karrierë, me mundësinë për të marrë drejtimin e një përfaqësueseje kombëtare, ku Anglia përmendet si një nga destinacionet e mundshme.

Pas dhjetë vitesh dominim në futbollin anglez dhe europian, Guardiola largohet nga Manchester City duke lënë pas një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit.

Top Channel