Mbështetja e qeverisë për transportin/ Shoqëritë e transportit përfitojnë 50 lekë për çdo litër karburant, Tatimet hapin aplikimet deri më 1 gusht

30/05/2026 11:28

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar hapjen e procesit të aplikimit për kompensimin financiar të shoqërive që operojnë në transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës.

Masa mbështetëse, e miratuar nga qeveria, parashikon kompensim në vlerën 50 lekë për litër karburanti për konsumin e realizuar gjatë periudhës mars–maj 2026.

Për zbatimin e kësaj skeme është vënë në dispozicion një fond total prej 250 milionë lekësh, ndërsa subjektet përfituese do të mund të paraqesin kërkesat pranë drejtorive rajonale tatimore brenda afateve të përcaktuara.

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë, shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës përfitojnë kompensim financiar në masën 50 lekë/litër karburanti për konsumet e periudhës mars–maj 2026.

Vlera totale e kompensimit financiar të parashikuar për këtë masë mbështetëse është 250,000,000 lekë. Aplikimet paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse pas datës 10 të muajit pasardhës. Afati i fundit për pranimin e kërkesave është data 1 gusht 2026”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Top Channel