“Mesazhe të njëanshme dhe vetëlavdëruese”, mediat iraniane përgënjeshtrojnë deklaratat e Trump: Nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare mes Iranit dhe SHBA-së

29/05/2026 19:41

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim News Agency raportoi se deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara duke hedhur posht deklaratat e Trump.

Sipas agjencisë, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me heqjen e bllokadës detare ndaj Teheranit duhet të priten “me skepticizëm”, duke i cilësuar ato pjesë të “modelit të tij të zakonshëm të njoftimeve të njëanshme dhe vetëlavdëruese”.

Tasnim thekson se çdo heqje e bllokadës do të përbënte thjesht “fundin e një prej shkeljeve të shumta të armëpushimit”, pasi masa të tilla, sipas saj, “nuk duhej të ishin vendosur kurrë”.

Agjencia iraniane hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e Trump dhe të mediave amerikane lidhur me çështjen bërthamore, duke i cilësuar ato “të pabaza” dhe duke sqaruar se aktualisht nuk po zhvillohen diskutime të detajuara mbi këtë temë.

Sipas Tasnim, refuzimi i SHBA-së për të zhbllokuar fondet e ngrira iraniane po shton dyshimet e Teheranit mbi gatishmërinë reale të Uashingtonit për negociata.

Në përfundim, agjencia nënvizon se Republika Islamike ka përsëritur vazhdimisht se çështja e aseteve të ngrira duhet të zgjidhet përpara arritjes së çdo marrëveshjeje paraprake.

Top Channel