A do arrihet marrëveshja? Trump dhe këshilltarët e tij po vendosin për Iranin

29/05/2026 20:45

Presidenti amerikan Donald Trump po zhvillon një takim me bashkëpunëtorë të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, në një mbledhje të mbajtur në dhomën e menaxhimit të krizave, ku në qendër të diskutimeve është marrëveshja e mundshme me Iran.

Presidenti amerikan Donald Trump po zhvillon një takim me bashkëpunëtorë të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, në një mbledhje të mbajtur në dhomën e menaxhimit të krizave, ku në qendër të diskutimeve është marrëveshja e mundshme me Iran.

Sipas burimeve të raportuara, të dyja palët kanë arritur një kornizë paraprake mirëkuptimi, por deri tani as Uashingtoni dhe as Teherani nuk kanë dhënë ende dritën jeshile përfundimtare. Madje, pala iraniane ka kundërshtuar disa nga pretendimet e publikuara nga Trump mbi përmbajtjen e memorandumit të mirëkuptimit.

Më herët, presidenti amerikan kishte paraqitur në një postim disa nga kërkesat kryesore të SHBA-së ndaj Iranit. Ndër to përfshihet hapja e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë dhe të sigurt, heqja e minave detare dhe garantimi i qarkullimit pa pengesa në rajon, si dhe shkatërrimi i uraniumit të pasuruar iranian nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Trump gjithashtu ka theksuar se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një nga pikat kryesore të qëndrimit amerikan në negociata.

Në të njëjtin postim, ai ka deklaruar se SHBA-të synojnë të rimarrin uraniumin e pasuruar iranian, i cili sipas tij ndodhet në objekte nëntokësore të goditura më herët, duke shtuar se vetëm SHBA dhe Kina kanë kapacitetin për ta nxjerrë atë. Ky material, sipas planit të propozuar, do të shkatërrohet nën mbikëqyrjen e IAEA-s.

Nga ana tjetër, Irani ka reaguar duke mohuar ekzistencën e këtyre kushteve në dokumentin e përmendur, ndërsa ka kërkuar gjithashtu lirimin e fondeve të ngrira që sipas Teheranit arrijnë në rreth 12 miliardë dollarë.

Bisedimet mbeten ende në një fazë delikate, ndërsa të dyja palët vijojnë të paraqesin versione të ndryshme mbi përmbajtjen dhe detajet e marrëveshjes së mundshme.

Top Channel