“Sot e dimë që ai u vra nga njerëz të rrezikshëm”/ Flet nëna e parukierit italian që u ekzekutua nga grupet mafioze shqiptare: Kam vetëm një pyetje…

28/05/2026 12:33

Një organizatë kriminale e trafikut të drogës, e drejtuar nga Igli Kamberi, akuzohet nga autoritetet italiane për rrëmbimin dhe ekzekutimin mafioz të 26-vjeçarit Francesco Diviesti në Itali.

I riu, me profesion parukier, u zhduk më 25 prill 2025 në Barletta, ndërsa trupi i tij u gjet katër ditë më vonë në një zonë guroreje mes Minervinos dhe Canosas.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Barit dhe autoriteteve antimafia, Diviesti u vra pas një konflikti të lidhur me një borxh droge prej disa qindra eurosh. Hetuesit dyshojnë se ai ishte marrë me forcë nga disa persona dhe më pas ishte ekzekutuar me armë zjarri. Pas vrasjes, trupi i tij u dogj për të fshehur gjurmët dhe për të dhënë një mesazh frikësues në ambientet kriminale.

“Nga sot dimë se djali ynë u vra nga njerëz të rrezikshëm”. Kështu është shprehur Maria Marzocca, nëna 26-vjeçarit, shkruajnë mediat.

“Për ne kjo është përgjigjja e shtetit që prisnim prej një viti”, tha ajo, ndërsa shprehu tronditjen pasi hetimet zbuluan lidhje me mafian shqiptare dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Kam vetëm një pyetje: çfarë lidhjeje kishte djali im me këto rrethana?”, u shpreh nëna e të riut, duke theksuar se Francesco ishte i padënuar, punonte si parukier në biznesin e të atit dhe ishte vetë baba.

Për ngjarjen janë arrestuar Igli Kamberi, Nicola Di Benedetto dhe Antonio Lanotte, të cilët akuzohen si autorë të drejtpërdrejtë të krimit. Dy persona të tjerë përfunduan nën masa sigurie për favorizim dhe fshehje informacioni.

Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal i drejtuar nga Kamberi vepronte prej kohësh në trafikun e lëndëve narkotike në rajonin e Puglias, ndërsa fitimet dyshohet se transferoheshin në Shqipëri për t’u pastruar. Në kuadër të operacionit, autoritetet italiane kanë sekuestruar qindra mijëra euro.

Paralelisht me arrestimet në Itali, janë ekzekutuar edhe masa sigurie në Shqipëri, në bashkëpunim me SPAK-un dhe autoritetet italiane antimafia, që po hetojnë lidhjet ndërkombëtare të grupit kriminal.

Top Channel