Bernardo Silva gjithnjë ka qenë një objektiv i merkatos për Barcelonën. Futbollisti portugez gjithnjë është pëlqyer nga presidenti Laporta dhe drejtuesit e tjerë të klubit që në fakt e kërkuan edhe përpara 3 vitesh kur në stol ishte Xavi Hernandez. Por në atë kohë Bernardo Silva vendosi të rinovojë me Manchester City.

Por tani, sipas të përditshmes spanjolle ‘Sport’ gjërat kanë ndryshuar. Në moshën 31 vjeçare, portugezi vendosi të lërë Premier League në kërkim të një aventure të re. Tashmë është një futbollist i lirë dhe është vënë në kërkim të një skuadre të re me një prioritet të qartë. Atë që nuk ndodhi përpara 3 vitesh, ai shpreson ta realizojë tani; të luajë te Barcelona. Portugezi e admiron klubin blaugrana dhe qytetin e Barcelonës dhe një pjesë e familjes së tij jeton në Katalonjë. Për të gjitha këto, agjenti i tij Jorge Mendes ia ofroi futbollistin pikërisht Barcelonës.

Dhe te kampionët e Spanjës po e konsiderojnë shumë seriozisht opsionin e transferimit të Bernardo Silvës në Camp Nou. Te Barcelona mendojnë se Bernardo Silva është në gjendje të mirë fizike gjë që e tregoi edhe këtë sezon me Manchester City duke qenë një futbollist i padiskutueshëm për Pep Guardiolën. Në të njëjtën kohë ardhja e tij, do të ishte shumë e rëndësishme edhe për vetë futbollistët për lidershipin e tij dhe për faktin se ai mund të luajë në disa pozicione. Mund të luajë në qendër të fushës, pir edhe në krahun e djathtë për t’i dhënë mundësinë Lamine Yamal të pushojë.

Kontaktet mes drejtuesit të Barcelonës dhe Mendes kanë nisur prej kohësh, por në orët e fundit kanë avancuar ndjeshëm me të dyja palët që e kanë të qartë se paga e futbollistit nuk do të jetë një problem. Bernardo Silva vjen me parametra zero dhe paga e tij edhe pse e lartë është e përballueshme për Barcelonën. Për më tepër vete futbollisti që dëshiron me çdo kusht të luajë në La Liga është gati të pranojë një reduktim të pagës nëse do të jetë e nevojshme. Por jo vetëm kaq, së fundmi është zgjidhur dhe një nga pikëpyetjet që mund të frenonin transferimin e tij. Hansi Flick kishte dyshime për ardhjen e Bernardo Silvas për moshën e tij dhe për faktin se ka shumë futbollistë ofensivë në skuadër. Por në ditët e fundit pa që është një profil i nevojshëm dhe se ka shumë dëmtime në repartin e sulmit dhe kështu që duhet të ketë lojtarët e duhur për çdo rast

Bernardo Silva pret Barcelonën edhe pse për të është bërë një ofertë edhe nga një klub tjetër i La Liga, Atletico Madrid, skuadra me të cilën Barcelona do të negociojë transferimin e Julian Alvarez. Në të gjithë këtë histori duhet marrë parasysh edhe një detaj; ardhja e mundshme e Bernardo Silvës do ta bënte të pamundur qëndrimin e Marcus Rashford. Portugezi dhe Anthony Gordon që tashmë është i konfirmuar do t’ia ngushtonin hapësira sulmuesit anglez.

Top Channel