Shpërthen rezervati i lëndëve kimike në fabrikën industriale në Uashington, një person humb jetën dhe nëntë të tjerë rezultojnë të zhdukur

27/05/2026 10:55

Të paktën një person ka humbur jetën, nëntë të tjerë janë plagosur dhe nëntë punonjës rezultojnë ende të zhdukur pas një incidenti të rëndë industrial në shtetin e Uashingtonit në SHBA, ku një rezervuar me lëndë kimike u ça në një fabrikë për prodhimin e letrës dhe paketimit.

Sipas shërbimit zjarrfikës, rezervuari përmbante “lëndë të bardhë”, një përzierje kimike e përdorur në procesin e prodhimit të letrës, e cila konsiderohet e rrezikshme në rast rrjedhjeje apo shpërthimi industrial, shkruan CNN.

Autoritetet fillimisht raportuan se rezervuari kishte imploduar, ndërsa më vonë saktësuan se ai ishte dëmtuar rëndë duke çuar në çarje masive dhe rrjedhje të substancave kimike. Sipas hetimeve paraprake, rezervuari kishte kapacitet shumë më të madh se sa ishte deklaruar fillimisht dhe mund të ketë përmbajtur rreth 900 mijë gallonë material kimik.

Shërbimi zjarrfikës i Longview bëri të ditur se një zjarrfikës dhe tetë punonjës janë mes të plagosurve, ndërsa një prej viktimave është konfirmuar i vdekur në vendngjarje. Tre persona të tjerë janë dërguar në qendra të specializuara për djegie në Portland, ndërsa disa pacientë janë liruar nga spitali.

Autoritetet lokale theksuan se, pavarësisht seriozitetit të incidentit, nuk ka rrezik për komunitetin përreth, por banorët janë këshilluar të shmangin zonën për shkak të rrezikut të vazhdueshëm në terren.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vazhdim, por janë përshkruar si “jashtëzakonisht komplekse” për shkak të kushteve të rrezikshme dhe paqëndrueshmërisë së strukturës së dëmtuar. Ekipet e emergjencës pritet të rinisin punën sapo kushtet të bëhen më të sigurta.

Guvernatori i shtetit të Uashingtonit deklaroi se autoritetet shtetërore po bashkëpunojnë ngushtë me ekipet lokale dhe federale për menaxhimin e situatës, duke theksuar se operacionet do të vijojnë “për sa kohë të jetë e nevojshme”.

Autoritetet amerikane kanë konfirmuar gjithashtu se në fabrikë kanë qenë duke u zhvilluar inspektime të mëparshme për çështje sigurie, megjithatë ato nuk lidhen drejtpërdrejt me incidentin e fundit. Hetimet për shkaqet e sakta të ngjarjes vijojnë.

Top Channel