Kurban Bajrami në Vlorë, qindra qytetarë mblidhen në pallatin e sportit “Flamurtari” për të falur namazin

27/05/2026 09:12

Me qindra besimtarë myslimanë në Vlorë janë mbledhur në pallatin e sportit “Flamurtari” për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Janë besimtarë të Vlorës por nuk mungojnë as besimtarë me kombësi të huaj. Falja e Namazit të Kurban Bajramit është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku, i cili në fjalën e tij ka theksuar se Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.

Si çdo vit besimtarët kanë kryer ritin e faljes dhe kanë shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje.

Ndërkohë, në këtë ditë të rëndësishme për myslimanët, besimtarët  presin kurban e një pjesë ua shpërndajnë njerëzve në nevojë, ndërsa në orët  në vazhdim pritet të shtrojnë drekën e kësaj feste me të gjithë miqtë dhe familjarët.

Prej vitesh në Vlorë kjo festë shoqërohet me një masivitet pasi të  shumtë janë besimtarët e të gjitha grupmoshave që i bashkohen besimit islam.

Top Channel