E rëndë në Korenë e Jugut/ Shembet mbikalimi në Seul, humbin jetën tre persona
Shtetet e Bashkuara, India, Australia dhe Japonia kanë njoftuar projekte të reja bashkëpunimi detar dhe për mineralet kritike, duke ringjallur forumin “Quad”, i cili shihet me dyshim nga Kina.
Takimi u zhvillua në Nju Delhi, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se katër vendet ndajnë “vlera të forta demokratike” dhe interesa të përbashkëta ekonomike e strategjike.
Rubio tha se vendet e “Quad”-it do të bashkëpunojnë në dy nisma të reja detare: njëra për bashkimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes në det dhe tjetra për ofrimin e informacionit në kohë reale për trafikun tregtar detar.
Për herë të parë, grupi do të ndihmojë edhe në zhvillimin e porteve në Fixhi, një vend kyç në Paqësorin Jugor ku Kina ka rritur ndikimin e saj vitet e fundit.
Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, tha se vendet e “Quad”-it kanë përgjegjësi të ofrojnë “alternativa reale” për rajonin.
Një tjetër fokus i bashkëpunimit do të jetë sigurimi i furnizimit me minerale kritike, sektor ku Kina dominon tregun global dhe që konsiderohet jetik për industrinë e teknologjisë së avancuar.
Nga Pekini reagoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, e cila deklaroi se bashkëpunimi “nuk duhet të drejtohet kundër një pale të tretë” dhe kritikoi krijimin e “blloqeve ekskluzive”.
Takimi u zhvillua në një moment tensionesh mes aleatëve, pas kritikave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj partnerëve tradicionalë të SHBA-së dhe mospajtimeve për luftën me Iranin.
Top Channel