E rëndë në Korenë e Jugut/ Shembet mbikalimi në Seul, humbin jetën tre persona

26/05/2026 16:00

Një aksident tragjik është regjistruar në Seul të Koresë së Jugut, ku një mbikalim që po prishej është shembur pjesërisht, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e të paktën tre të tjerëve.

Sipas autoriteteve koreano-jugore dhe agjencisë Yonhap, pjesë të strukturës së mbikalimit Seosomun dhe mbetje të tjera ndërtimi ranë në tokë rreth orës 14:32 me orën lokale.

Dy nga viktimat raportohet se janë burra rreth moshës 50-vjeçare, ndërsa personi i tretë humbi jetën më vonë në spital për shkak të plagëve të marra.

Mbetjet e strukturës ranë gjithashtu mbi një linjë hekurudhore pranë zonës së aksidentit, duke detyruar Korporatën Hekurudhore Koreane të ndërpresë përkohësisht qarkullimin e trenave mes stacioneve Seul dhe Sinchon.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-Myung, i cili ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Përmes zëdhënëses presidenciale Kang Yu-jung, ai kërkoi gjithashtu marrjen e masave për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen.

Top Channel