Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht pas sulmit të fundit rus me dronë dhe raketa ndaj Kievit, gjatë të cilit u godit edhe kompleksi rezidencial ku jeton ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.
Përmes një deklarate nga zëdhënësi i Ministrisë, Alteo Hysi, bëhet e ditur se ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, është thirrur për të marrë protestën zyrtare të palës shqiptare lidhur me incidentin.
Deklarata:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri ditën e sotme (24 maj) Ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën e ashpër pas sulmeve masive përgjatë natës me dronë dhe raketa, gjatë së cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë.
Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë në çdo rrethanë të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.
Ambasadorit rus iu dorëzua notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij.
Top Channel