E bujshme/ Leao larg Milanit, ylli portugez mund të ndjekë Paolo Maldinin në… Turqi

24/05/2026 16:30

Fenerbahçe po punon seriozisht për të afruar legjendën e Milanit, Paolo Maldinin, në strukturat drejtuese të klubit turk.

Sipas raportimeve nga mediat turke dhe gazetarit Yagiz Sabuncuoglu, një takim i dytë është zhvilluar në Stamboll mes Maldinit dhe kandidatit për president të Fenerbahçes, Hakan Safi.

Pas një takimi fillestar në Milano, Safi duket i vendosur ta emërojë ish-drejtorin teknik të Milanit si përgjegjës për projektin sportiv të klubit, me fokus të veçantë te merkatoja dhe ndërtimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Një nga emrat që lidhet menjëherë me ardhjen e mundshme të Maldinit është ai i Rafael Leaos. Sulmuesi portugez i Milanit është një nga objektivat që Fenerbahçe po monitoron nga afër, ndërsa e ardhmja e tij në “San Siro” mbetet e pasigurt.

Leao, i transferuar nga Lille te Milani në vitin 2019 për 49.5 milionë euro, ka zhvilluar 290 ndeshje me kuqezinjtë, duke realizuar 80 gola dhe 65 asistime. Megjithatë, raportet me tifozët janë ftohur javët e fundit, ndërsa një postim i fundit në rrjetet sociale është interpretuar si një mesazh lamtumire.

Edhe pse kontrata e tij përfshin një klauzolë largimi prej 175 milionë eurosh, e vlefshme nga 1 deri më 15 korrik, Milani raportohet se do të ishte i gatshëm ta shiste për një shumë mes 40 dhe 60 milionë eurove.

Megjithatë, transferimi i Leaos te Fenerbahçe mbetet i komplikuar për dy arsye kryesore. E para lidhet me zgjedhjet presidenciale të klubit, që do të mbahen më 6 dhe 7 qershor, ku Aziz Yildirim konsiderohet favorit. E dyta ka të bëjë me pagën e lartë të portugezit, i cili përfiton rreth 5 milionë euro neto në sezon te Milani.

Ndërkohë, interesimi nga klube të tjera mbetet i fortë. Manchester United vazhdon të monitorojë situatën e Leaos, me Joshua Zirkzee që përmendet si alternativë në rast largimi, ndërsa nga Arabia Saudite, Al Nassr po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth yllit portugez.

Top Channel