Salla zbulon planin e monitorimit të murtajës, 10 mijë teste stereologji për 708 ferma blegtorale

21/05/2026 15:32

Në Shqipëri, numri i vatrave me murtajë ka shkuar në tre: Bulqizë, Peqin dhe Shkodër.

Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes që ua mori jetën bagëtive të imta, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, së bashku me trupën e veterinerëve të AKVMB-së, kanë hartuar planin e monitorimit që prek të gjitha fermat blegtoriale, duke vënë në dispozicion 10 mijë teste serologjike në 708 ferma të bagëtive të imta.

“Jemi në Vlorë dhe po monitorojmë situatën bashkë me AKVMB-në për të marrë të gjitha analizat e nevojshme. Me drejtorinë e ISUV, në mënyrë shumë të shpejtë po punojmë për këto analiza”, u shpreh Salla.

Ministri Salla thotë se janë aplikuar masa të menjëhershme për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes, duke firmosur edhe urdhërin për ndalimin e lëvizjes së kafshëve në zonat e prekura nga murtaja. Ai kujtoi se murtaja nuk është më një sëmundje e re; për vitin 2025, Ministria e Bujqësisë kompesoi financiarisht fermerët për 2,200 krerë dele/dhi të asgjesuara.

“Kemi nxjerrë një urdhër për moslëvizjen e kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen në çdo vatër që është ngritur. Bashkë me ekipin e veterinarisë po bëjmë të mundur mbylljen e vatrave. Një situatë të tillë e patëm edhe vitin e kaluar, ku iu përgjigjem me dëmshpërblime, duke mbuluar financiarisht 2,200 krerët e asgjesuar. Por duhet të nxitojmë për një izolim sa më të shpejtë të situatës”, shtoi ministri.

Ndërkohë, pjesë e këtij plani parandalimi është edhe Policia e Shtetit, e cila së bashku me veterinerët ka shtuar vigjilencën edhe në pikat kufitare, për të monitoruar lëvizjen e kafshëve të importuara.

Drejtor i përgjithshëm AKVMB, Roland Meçe, thotë: “Veterinerët tanë kryejnë rreth 200-250 monitorime ditore me një numër prej 5,000 krerë bagëti të imta. Njëkohësisht, me urdhër ministri, po bëjmë monitorime me analiza serologjike ku kemi për të monitoruar nëpërmjet analizave 708 ferma në të gjithë Shqipërinë.”

Murtaja e ruminantëve të vegjël nuk është një sëmundje zoonotike, që do të thotë se nuk transmetohet tek njerëzit. Ky infeksion konsiderohet i rrezikshëm për blegtorët, pasi shkakton dëm të madh ekonomik në fermë.

 

Top Channel