Fiks Fare/ “E martuar në jetë, beqare në sistem”, qytetarja lidh kurorë por s’ia regjistrojnë dot në e-Albania
Fiks Fare denoncoi një skandal me pronat në zonën turistike në Ksamil, ku një ish-gjyqtar i Sarandës, Petrit Aliaj, pasi i ktheu Bektashinjve 160 hektarë kur ishte në detyrë, është kapur duke ndërtuar pa leje në të njëjtën sipërfaqe. Gjyqtari ka lënë togën e gjyqtarit dhe ka përveshur mëngët duke punuar me llaç, gurë dhe karrocë në pronën në hyrje të qytezës së Ksamilit, buzë detit Jon.
Emisioni investigativ ka mësuar se, Petriti ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, nga viti 1995 deri në 2013-ën dhe më vonë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Petriti u shkarkua nga Vetingu në muajin qershor të vitit 2020. Vendimi u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në nëntor 2022. Arsyeja e shkarkimit ishte për shkak se nuk kishte deklaruar një pallat 7 katësh në Sarandë, me letra në emër të babait dhe vëllait.
Ndërkohë, në dokumentet e Vetingut, nuk ka asnjë rresht për pronën në Ksamil. Banorët e zonës kanë deklaruar se prona ku punon vazhdimisht është rreth 20 mijë metra katrorë, buzë detit Jon. Një pronë, që vetë Petriti, në kohën kur ishte gjyqtar, ia ka kthyer Komunitetit Bektashi. Me letra, prona figuron në emrin e një qytetari nga Përmeti, i cili nuk është parë asnjëherë në zonë. Ndërkohë që, ish-gjyqtari, në gjithë përballjet me banorët dhe institucionet lokale, shprehet se prona është e tij. “Është prona ime. S’ka bir k… që të punojë atje” dëgjohet t’u thotë Petriti banorëve të Ksamilit.

Por, ndryshe nga sa shkruhet në letra, në terren është një situatë tjetër. Fiks Fare ka vëzhguar për disa ditë të gjithë zonën. Ish-gjyqtari, Petrit Aliaj, paraqitet rregullisht. Ai kryen punime, bashkë me vëllanë, njëherë me karrocë. Më pas saldojnë konstruksionet metalike. Në pamje të tjera, Petriti mban në dorë një nivel. Ai bën edhe piketime të pronës.
Banorët e zonës janë ankuar për këto punime, pa asnjë leje. Në terren kanë shkuar fillimisht inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Fiks Fare ka siguruar pamje të këtyre inspektimeve, ku vetë AKB-ja ka lajmëruar banorët nëpërmjet një shkrese se janë konstatuar ndërhyrje në territor. “Ka proces punimesh për një strukturë shërbimi” shkruan Agjencia, ndërkohë që deri më sot, për atë stacion dhe parcelë plazhi, nuk është dhënë asnjë leje. E njëjta shkresë, i është dërguar edhe IKMT-së.

Deri më sot, sipas fotove dhe videove që ka siguruar Fiks Fare, asnjë institucion nuk ka ndërhyrë. Në atë plazh, kanë shkuar edhe punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke bërë matje. Ndryshe nga aksioni në Sarandë, policia apo vetë AMP-ja nuk kanë nuk kanë nxjerr asnjë njoftim për ndonjë hetim të mundshëm.
Fiks Fare ka siguruar një regjistrim, ku Petrit Aliaj flet me një banor të zonës, duke u konfliktuar për kufijtë, duke i dhënë edhe planvendosjen e pronës. “Kam vërtetimin e pronësisë unë, kam planvendosjen. Vër një etiketë ku bie e imja. Tani vërja dhe këtij. Sa është mbivendosja, kaq” pohon ai, duke iu kundërpërgjigjur banorit se “si do të marrësh pronën time ti, unë të rri këtu t’a paguaj me lekë dhe ti të më marrësh të punosh mbi mua”.

Në bisedë duket mjaft qartë se Petriti rezulton si pronar, pasi i thotë se “unë në pronën time s’të lë të punosh”. Më pas e kërcënon se do t’i bëjë një kallëzim dhe se banori, sdo të mund të ndërtojë. “Leja të është dhënë mbi pronën time o burrë. Unë të pezulloj ty, të kap gjyq ty. Pse unë jam budalla që marr njerëzit që po vënë pikat mbi pasurinë. Ne po e marrim nga Hipoteka këtë, s’e kemi marrë nga xhepi këtë. Tani është prona ime, është logjike” thotë ai.
Një pjesë mjaft interesante e të gjithë kësaj bisede është fakti se ish-gjyqtari i thotë banorëve se arrin që të pezullojë edhe lejet e kryeministrit Edi Rama. “Unë e di shumë mirë se kam pezulluar firmën e Edi Ramës, sa për dijeni. Unë dhe shokët e mi i pezullojmë sot e kësaj dite. Kështu që mos të të shkojë ty ndërmend që ke marrë leje” vijon ai, ndërsa i thotë se të gjitha palët do të humbasin nëse bëjnë gjyq. “Edhe unë do harxhoj lekë dhe ti do harxhosh lekë, mblidhe mendjen bëje top. Unë e di se çfarë do të thojë avokati, hajde mos e ça b… se më ke mua. Po kur t’i fusi gjykata t’a pezulloj, pastaj do të thojë avokati, që s’kisha pranuar gjykatën” i shton ai.

Ndërkohë, pas disa ditësh, qytetari shkon sërish pas disa ditësh te prona ku po bën punime ish-gjyqtari Petrit Aliaj. E gjen duke punuar, duke sistemuar strukturat e drurit, të gurit dhe ato metalike, të gjitha pa leje nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. “Kam bërë gabim që s’kam bërë denoncim, do të të bëj tani e tutje. S’kemi çfarë të diskutojmë bashkë” i thotë Petriti njërit prej banorëve.
Fiks Fare ka siguruar dosjen e njohjes së 160 hektarëve tokë në Ksamil, dosje në të cilën del disa herë emri i ish-gjyqtarit Petrit Aliaj. Gjatë kohës që ushtronte detyrën si gjyqtar në Sarandë, Aliaj ka dhënë disa vendime gjyqësore për njohjen e kësaj sipërfaqeje në favor të Komunitetit Bektashi. Aliaj është gjyqtari që ka përcaktuar kufijtë e kësaj prone, ka dhënë vendime gjykate që njihen si vërtetime fakti juridik, duke bërë njohjen e kësaj prone prej 160 ha, pronarëve të saj.

“Petrit Aliaj kur ka qenë gjyqtar në Sarandë, dhe në vitet 2016, 2017, 2018 dhe 2019, ka lëshuar një mori vendimesh për t’ia njohur, vërtetuar, saktësuar kufijtë dhe ka nxjerrë urdhra ekzekutimi për atë pronë, ku aktualisht po punon edhe vetë” tha banori. Ironia e fatit është se prona, ku Petrit Aliaj po punon aktualisht, me sipërfaqe mbi 20 mijë metra katrorë, përfshihet në sipërfaqen e madhe prej 160 hektarësh. Vendimet e gjykatave kanë edhe hartën, ku duket mjaft qartë se trualli që Aliaj pretendon pronësinë, ndodhet brenda asaj zone. “Dyshojmë se truallin e ka marrë si ryshfet për atë njohje. Ne kërkojmë që institucionet të hetojnë të gjithë batërdinë e pronave” pohon banori.
Në terren kanë shkuar inspektorë nga Agjencia e Bregdetit, nga Policia dhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Të gjitha këto institucione, janë përballur pikërisht me ish-gjyqtarin Petrit Aliaj. Fiks Fare ka siguruar pamjet ku duket qartë që ish gjyqtari është prezent në pronën që po përgatitet për t’u bërë stacion plazhi gjatë kohës së inspektimit që këto institucione kanë bërë në terren. Siç duket nga pamjet, ish Gjyqtari Petrit Aliaj, po punon personalisht dhe po e bën gati për sezonin veror, megjithëse për këtë prone nuk ka asnjë leje të miratuar dhe të publikuar deri më sot nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit apo nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

***
Bisedë mes banorëve të Ksamilit dhe ish-gjyqtarit Petrit Aliaj
Petrit Aliaj – Unë e kisha 70 metra këtej e kam bërë 15 metra këtej. Dëgjo, të jap kartelën vëllai të pasurisë ty që t’ia japësh ekspertit tënd dhe ti më jep tënden, të vendosjes së plazhit, që t’i ballafaqojmë.
Qytetari – T’a jap unë planin.
Petrit Aliaj – Unë fola me njërin tani, fola me njërin në AZHT në Tiranë.
Qytetari – Po.
Petrit Aliaj – Dëgjo vëlla, bashkia e ka detyrimin ligjor. Fajin e ka bashkia, nuk e kemi neve thanë.
Qytetari – O vëlla, po kartelën tënde a e marrim në, ku e marrim? E marrim në Kadastër në Hipotekë, ku merret?
Petrit Aliaj – Do vish vërdallë në Hipotekë, po ti merre mbaje, verifikojë po s’qe kjo më pështy mua. Unë po t’a jap që t’a kesh më kollaj, i thuaj ja ku e kam. Urdhëro thuaj më nxirr një tjetër, na numrin e pasurisë, më nxirr një si kjo. Kjo është kartela e pasurisë. Tani nisma, siç t’a nisa unë, nisma dhe ti të asaj plazhit. I ke të gjitha aty, emrin e ke Roland Mekollari, ka? Ka emrin, po s’e ka ta them unë.
Qytetari – Unë nuk jam duke cënuar njeri sipas lejes, gjithmonë. Sipas lejes dhe kontratës, nuk jam duke cënuar njeri. Duke qenë se ti pretendon se po të cënoj ty vlla, unë do të shoh të interesohem se jam në ajër për vete.
Petrit Aliaj – Unë dua planvendosjen o burrë të plazhit, të shoh sa është mbivendosja jote.
Qytetari – Patjetër, dua që të ndaj pronën.
Petrit Aliaj – Si, të ndash? Ndahet kështu prona …
Qytetari – Po.
Petrit Aliaj – Të them unë ty vëlla. Ke pronën, kam vërtetimin e pronësisë unë, kam planvendosjen, po në rregull. Vër një etiketë ku bie e imja. Tani vërja dhe këtij. Sa është mbivendosja, kaq. Si do ta zgjidhim? Se dinte ai pronën time, më tha bashkia, ishte Zeneli dhe më tha po e kemi bërë ne atë gabim, t’a ka bërë djali i Ruanit gabim që në fillim tha. As ti s’ke faj, as unë s’kam faj. Hajde t’a zgjidhim po të them.
Qytetari – Po si do t’a zgjidhim?
Petrit Aliaj – Po si do të marrësh pronën time ti? Unë të rri këtu t’a paguaj me lekë dhe ti të më marrësh të punosh mbi mua.
Qytetari – Sipas teje ça e quan zgjidhje ti?
Petrit Aliaj – Zgjidhja është kjo këtu, vazhdo atje tutje dhe ec.
Qytetari – Si të vazhdoj tutje, unë këtu kam lejen mo vlla!
Petrit Aliaj – Po si do të vish te prona ime.
Qytetari – Leja ime më dëgjo.
Petrit Aliaj – Ore t’a kesh ku të duash, te prona ime s’ke për të punuar. Unë t’a them si burrat.
Qytetari – Ore dhe unë t’a them tamam si burrat, do gjej zgjidhje dhe dua t’a bëj ligjërisht o vlla.
Petrit Aliaj – Ligjërisht do t’a bëj dhe unë.
Qytetari – Bravo.
Petrit Aliaj – Po qe se nuk e gjejmë gjuhën me njëri tjetrin, unë do të hap gjyq dhe do të pezulloj.
Qytetari – Patjetër vlla. Pse mos të më pezullosh.
Petrit Aliaj – Unë në pronën time s’të lë të punosh.
Qytetari – Ti s’gjen se s’ke leje për atë pronë.
Petrit Aliaj – Po ti ku ke leje, te prona ime ke?
Qytetari – Po e kam këtu.
Petrit Aliaj – Po ja unë bëra një kallëzim penal atyre, ku do të mbetesh ti. Do të pezullohen ata dhe ti do ikësh, s’do ndërtosh fare.
Qytetari – Po ç’më intereson mua. Ti me mua e ke, ti e ke me ata ç’punë ke me mua.
Petrit Aliaj – Unë e kam me ata, po ty s’të lë të ndërtosh këtu.
Qytetari – Mua më është dhënë leja.
Petrit Aliaj – Ore leja të është dhënë mbi pronën time o burrë.
Qytetari – Ore ik zgjidhe me ata, ç’punë kam unë.
Petrit Aliaj – Unë të pezulloj ty, të kap gjyq ty.
Qytetari – Ore më hidh në gjyq ti mua.
Petrit Aliaj – Që nesër, kështu e do dakort.
Qytetari – Ore dakort.
Petrit Aliaj – E zgjidh unë muhabetin.
Qytetari – O vëlla.
Petrit Aliaj – Pse unë jam budalla që marr njerëzit që po vënë pikat mbi pasurinë. Ne po e marrim nga Hipoteka këtë, s’e kemi marrë nga xhepi këtë. Tani është prona ime, është logjike.
Qytetari – Tani dhe ky është plazhi im, hë?
Petrit Aliaj – S’është plazhi jot, është prona ime ajo!
Qytetari – Po si është prona jote?!
Petrit Aliaj – Është prona ime.
Qytetari – Si është prona jote, kur unë e kam me kontratë?
Petrit Aliaj – Është prona ime.
Qytetari – O Petrit, logjikisht të thashë …
Petrit Aliaj – Ça logjikisht, unë të lashë po të bëj shesh me lule këtu, t’i heq të gjitha këtu, ti vë skrepin dhe futu nga të duash.
Qytetari – Se ti acarohesh kot.
Petrit Aliaj – Ore nuk acarohem, ju më thoni mua unë do të bëj ndërtim se më kanë dhënë lejen. Kush është ai b… k… që të dha lejen mbi pronën time.
Qytetari – KKT-ja mo vlla.
Petrit Aliaj – Kush KRRT-ja?
Qytetari – Po.
Petrit Aliaj – Do pezulloj lejen.
Qytetari – Leja që të pezullohet o Petrit, ti e di shumë mirë se ke qenë …
Petrit Aliaj – Unë e di shumë mirë se kam pezulluar firmën e Edi Ramës, sa për dijeni.
Qytetari – E di shumë mirë.
Petrit Aliaj – E, unë dhe shokët e mi i pezullojmë sot e kësaj dite.
Qytetari – Ok, dakort.
Petrit Aliaj – Kështu që mos të të shkojë ty ndërmend që ke marrë leje … Ç’është leja, kush po e pjerdh ARRSH-në se bëri ARRSH-ja planvendosjen mbi pronën time. S’ka zgjidhje fare, dëgjo si po të them unë. Po të ikim ligjërisht, nëse e do ligjërisht.
Qytetari – Ore dakord o vlla. Unë të fal, të hedh lejen time poshtë, thua ti.
Petrit Aliaj – Shtyje mo vlla, bëja ca metra më tutje.
Qytetari – Si t’a shtyj.
Petrit Aliaj – 3 metra më tutje.
Qytetari – Ti më thua ktheu mbrapsht 2 vite.
Petrit Aliaj – Po mirë pastaj hajde të vritemi me njëri-tjetrin.
Qytetari – Nuk vritemi.
Petrit Aliaj – Kështu është kjo punë.
Qytetari – Unë them hajde ti japim zgjidhje. Zgjidhja shihet nga të dyja anët, po ti!
Petrit Aliaj – Kush është zgjidhja? Mbama mënd fjalën që po të them. Edhe ju do humbisni, edhe unë do të humbas po e bëmë gjyqin.
Qytetari – Patjetër o vëlla.
Petrit Aliaj – Të dy palët do të humbasim.
Qytetari – Patjetër.
Petrit Aliaj – Edhe unë do harxhoj lekë dhe ti do harxhosh lekë, mblidhe mendjen bëje top.
Qytetari – E di o vlla. Lekë po, siklete, strese.
Petrit Aliaj – E di si thonë njerëzit. Unë e di se çfarë do të thojë avokati, hajde mos e ça b… se më ke mua. Po kur t’i fusi gjykata t’a pezulloj, pastaj do të thojë avokati, që s’kisha pranuar gjykatën.
Qytetari shkon sërish pas disa ditësh te prona ku po bën punime ish-gjyqtari Petrit Aliaj. Sërish, e gjen duke punuar, duke sistemuar strukturat e drurit, të gurit dhe ato metalike, të gjitha pa leje nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
Qytetari – O Petrit.
Petrit Aliaj – S’të flas me gojë ty.
Qytetari – Po do të flas se do të zgjidhim muhabetet.
Petrit Aliaj – Kështu do t’i zgjidhim?
Qytetari – Do ti zgjidhim që ti në punë tënde dhe unë në punën time. Dëgjo, pjesën e plazhit se kam vajtur në bashki dhe jam marrë me këtë punë unë.
Petrit Aliaj – Ore s’dua t’ia di fare për këtë punë.
Qytetari – Ore pjesën e plazhit aty që pretendojë e ke të lirë. Je marrë me denoncime je marrë me të gjitha.
Petrit Aliaj – Unë jam marrë me denoncime?
Qytetari – Ti je marrë!
Petrit Aliaj – Nuk jam marrë, po do merrem tani e tutje. Të kisha bërë denoncime unë …
Qytetari – Pse kush po i bën?
Petrit Aliaj – S’jam nga ata unë që bëj denoncime, denoncime bëni ju për mua.
Qytetari – Ore kush po i bën denoncimet?
Petrit Aliaj – Po për mua kush po i bën denoncimet ti?
Qytetari – Unë po i bëj!
Petrit Aliaj – Po i bën ti?
Qytetari – Po.
Petrit Aliaj – Kam bërë gabim që s’kam bërë denoncim, do të të bëj tani e tutje. S’kemi çfarë të diskutojmë bashkë.
Qytetari – Do diskutojmë se unë do ti vë kufirin nesër.
Top Channel