Juventus, ende e tronditur nga humbja me Fiorentinën që rrezikon ta lërë jashtë zonës Champions, po bën vlerësimet si të bëjë lëvizjet në bordin drejtues në fillim e më pas në skuadër.

Do t’i takojë John Elkann të vendosë se te cili do të bazohet për të nisur gjithçka nga e para kur sezoni të jetë mbyllur, me shumë mundësi duke u dashur të bëjë llogaritë dhe me mungesën e të ardhurave nga kompeticioni më i rëndësishëm për klube.

Numri 1 i Exor do të takohet me presidentin Gianluca Ferrero dhe në tryezën e bisedimeve do të jetë fillimisht emri i Damien Comolli. Shefi Ekzekutiv francez është i akuzuari kryesor për operacionet në merkato që boshatisën arkat e klubit bardhezi dhe që solli në skuadër futbollistë që nuk konsiderohen si të nivelit të Juventusit.

Mundësia që ai ta pësojë është e madhe edhe për faktin se vetë Elkann në të kaluarën ka treguar se nuk ka skrupuj kur bëhet fjalë për të ndëshkuar njerëzit e tij. E sigurt është që roli i Comollit mund të ridimensionohet të paktën për disa zgjedhje sportive. Sepse raportet me Spallettin janë thuajse inekzistente e madje edhe ato me skuadrën janë të tendosura sidomos, sipas ‘Tuttosport’ kur në diskutimin e tij pas ndeshjes me Fiorentinën u kufizua me frazën ‘e kotë të shpenzosh shumë fjalë, nëse këto janë rezultatet, nuk kam çfarë t’ju them tjetër’.

Nga ana tjetër po forcohet gjithnjë e më shumë figura e Giorgio Chiellinit që këtë vit ka pasur një rol me operativ edhe pse fillimisht ishte një urë lidhëse mes skuadrës e Spallettit dhe drejtuesve të klubit. Është krijuar përshtypja se me apo pa Comollin, ish mbrojtësi shumë shpejt do të marrë një detyrë akoma me më shumë peshë. Pikërisht për këtë arsye pozicioni i Luciano Spallettit mbetet solid, sepse ishte pikërisht Chiellini ai që e kërkoi ta sillte në Torino në vend të Tudor dhe që deshi rinovimin me trajnerin toskan.

Edhe 90 minuta dhe më pas do të bëhen llogaritë e një sezoni negativ që rrezikon të krahasohet me ata të vendeve të 7. 

Top Channel