Juventus nuk merr lajme të mira nga Spanja. Atletico Madrid ka hyrë me prepotencë në garë për të siguruar shërbimin e Bernardo Silvës, objektivi i deklaruar i bardhezinjve.

Ajo që shkruan për këtë përfshirje të skuadrës madrilene në këtë histori është e përditshmja ‘Marca’ e cila publikon disa detaje të projektit që ka klubi i Los Colchoneros për portugezin.

Në idetë e Simeones, futbollisti 31 vjeçar do të bëhej lideri i ri i skuadrës duke marrë vendin e Antoine Griezmann i cili do të nisë një aventurë të re me Orlando City. Bernardo Silva që do të largohet nga Manchester City me parametra zero pas 9 vitesh, do të jetë një prej shtyllave të Portugalisë në Botërorin e kësaj vere. Bernardo Silva është në gjendje që të luajë në disa pozicione, në krahë por edhe pas qendërsulmuesit.

Me fanelën e Manchester City ai ka dhënë 76 asist dhe ka shënuar 77 gola në 459 ndeshje, shifra këto të rëndësishme dhe jo më kot Juventus ia kishte hedhur sytë duke e bërë prioritet në merkaton e transferimeve të kësaj vere. Bardhezinjtë kanë nisur lëvizjet prej kohësh me agjentin Jorge Mendes, por ndërhyrja e Atletico Madrid dhe mospjesëmarrja e mundshme e Zonjës së Vjetër në Champions League i kanë komplikuar gjërat në këtë operacion

Alternativat janë Salah dhe Fabian Ruiz

Nëse Bernardo Silva do të zgjedhë një tjetër projekt për të vijuar karrierën. Juventusi do të kërkojë alternativa të tjera. Sipas ‘Tuttosport’, bardhezinjtë mund të tentojnë për Mohamed Salah që do të largohet nga Liverpool. Egjiptiani do të ritakohej me Luciano Spallettin me të cilin ka punuar edhe te Roma. Sulmuesi 33 vjeçar e kishte kontratën me Liverpool deri në 2027 ashtu sikurse edhe Fabian Ruiz me Paris Saint Germain. Por duhet patur vëmendja edhe te Brahim Diaz, një tjetër emër në orbitën e Juventusit prej disa javësh. Futbollisti 27 vjeçar mund të largohet nga Reali i Madridit që po kërkon të rikthejë Nico Paz.

Top Channel