‘Besiktas Park’ në Stamboll do të përjetojë një mbrëmje të rëndësishme evropiane teksa këtë të enjtë përballë do të vihen Aston Villa dhe Freiburg, një ndeshje kjo që do të transmetohet në Digitalb.

Aston Villa vjen në këtë përballje si favorite, ndërsa Freiburg, skuadra debutuese që po përjeton një ëndërr. Faktori kryesor ulet në pankinën e Villans. Spanjolli Unai Emery është përkufizuar si specialisti i Europa League duke qenë se në palmaresin e tij ka 4 triumfe në 5 finale, e vetmja humbje është ajo në 2019 në derbin mes Arsenalit dhe Chelsea kur ai ishte në stolin e Topçinjve. Statistikat totale të Emery në kompeticionet evropiane janë monstruoze; 123 fitore në 209 ndeshje, 43 barazime dhe 43 humbje. Të dhëna që i japin shpresë për Aston Villan që është në kërkim të trofeut të parë pas 30 vitesh thatësirë(Kupa e Ligës Anglese e fituar në sezonin 1995-1996)

Në anën tjetër është debutuesti Julian Schuster, në drejtimin e Freiburgut që në palmaresin e tij ka vetëm disa kampionate të Divizionit të Dytë në Gjermani. Për skuadrën gjermane që deri para këtij sezoni nuk kishin shkuar më shumë se 1/8 e finaleve, është finalja e parë evropiane në historinë e saj.

Aston Villa e Unai Emery e dominoi fazën e Ligës duke e mbyllur në vendin e dytë me 7 fitore dhe vetëm 1 humbje. Nga playoffi e më tutje, skenari u përsërit(5 fitore dhe 1 humbje) një ecuri që u vulos me përmbysjen e madhe ndaj Nottingham Forest; nga humbja 0-1 te fitorja e thellë 4-0. Në Villa Park. Freiburgu e kaloi fazën e Ligës duke u renditur në vendin e 7 teksa regjistroi mbrojtjen e dytë më të mirë të kësaj faze(vetëm 4 gola të pësuar), por duke shënuar shumë gola; ka realizuar të paktën 3 gola në 6 ndeshje të zhvilluara ndaj Genk, Celta Vigo dhe Braga

Formacionet e mundshme:

Freiburgu: Atubolu; Kübler, Ginter, Lienhart, Treu; Eggestein, Manzambi; Beste, Höler, Grifo; Matanović

Julian Schuster modifikon formacionin titullar për shkak të dëmtimit të pësuar në klavikul nga Yuito Suzuki, ndërsa të gjithë të tjerët janë në dispozicion. Vetë Schuster shpjegoi: ‘Nuk është e mirëqenë, duke luajtur 3 herë në javë. Duhet të falenderojmë me të madhe të gjithë përgatitësit tanë atletikë, mjekët dhe fizioterapistët’

Aston Villa: Martínez; Cash, Konsa, Pau Torres, Digne; Lindelöf, Tielemans; McGinn, Rogers, Buendía; ëatkins

Pikëpyetja e parë është për gjendjen e Amadou Onana që nuk luan që pas problemit të shfaqur në pulpë në gjysmëfinalen e parë ndaj Nottingham. Në mungesë të tij Emery mund të zgjedhë t’i besojë Victor Lindelöf, që e zëvendësoi në gjysmëfinalen e kthimit. Ajo e Stambollit do të jetë sfida e parë zyrtare mes Aston Villas dhe Freiburgut dhe që nga 2020, do të jetë hera e parë që në finalen e Europa League vihen përballë skuadra që nuk janë përballur ndonjëherë më parë mes tyre.

Top Channel