Futbolli modern ka arritur në një pikë ku suksesi sportiv nuk ecën më paralelisht me triumfin financiar.

Paradoksi është kaq i thellë sa sfidon çdo logjikë: tre klubet e rrëzuara nga Premier League në sezonin 2023/24, Burnley, Sheffield United dhe Luton Town, morën secila rreth £49 milionë si pagesë “parashutë” vetëm në vitin e parë pas rënies. Ndërkohë, Barcelona, duke fituar titullin kampion në La Liga për sezonin 2024/25, do të arkëtojë rreth €57.84 milionë (afërsisht £46–48 milionë) si pagesën maksimale nga televizionet spanjolle. Rezultati? Burnley i rënë nga kategoria fiton më shumë para se Barcelona kampione e Spanjës.

Si funksionon sistemi i ashtuquajtur i “parashutës” në Angli?

Ky absurditet financiar rregullohet nga mekanizmi unik i futbollit anglez i njohur si “parachute payments”. Kur një ekip bie nga Premier League, ai nuk pëson kolaps financiar, por mbrohet nga një jastëk i butë milionash: merr 55% të të ardhurave televizive në vitin e parë, 45% në të dytën dhe 20% në të tretin. Nëse një klub nuk arrin të ngjitet menjëherë, ai siguron deri në £100 milionë brenda tre viteve. Kjo krijon një “efekt trampolinë” ku të njëjtat skuadra riciklohen. Sezoni 2023/24 ishte historik, pasi të tre të promovuarit ranë menjëherë, por vendin e tyre e zunë sërish dy klube që mbroheshin nga parashuta financiare: Leicester dhe Southampton.

Fuqia e Premier League dhe paratë e pafundme të këtij kampionati!

Diferenca mes Anglisë dhe pjesës tjetër të botës nuk është më një hendek, por një oqean. Në vitin financiar 2023, Premier League gjeneroi €7.1 miliardë, duke lënë pas La Liga-n (€3.7 miliardë) dhe Bundesligën (€3.6 miliardë). E ardhura mesatare e një klubi anglez është mbi tre herë më e lartë se ajo e klubeve në Spanjë apo Itali. Madje, edhe vendi i fundit në Angli, si Southampton, arkëton rreth £109 milionë nga TV, shumë më tepër se çdo klub që ngre trofeun në Madrid apo Barcelona.

Rekordet e te drejtave televizive që po asfiksojnë Europën.

Arsyeja e këtij dominimi qëndron te kontratat stratosferike. Për ciklin 2025–2029, Premier League ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe mediatike në historinë e Britanisë: plot £13.2 miliardë. Vetëm rrjeti amerikan NBC paguan £378 milionë në vit për të pasur të drejtat ekskluzive në SHBA. Për ta vendosur në perspektivë, e gjithë La Liga shpërndan €1.3 miliardë për të 20 klubet e saj së bashku, një shumë që në Angli e gllabërojnë vetëm 3 apo 4 klube të marra individualisht.

Tabela krahasuese, shifrat qe nuk i përkasin logjikës

Karakteristika Burnley (I rënë nga kategoria) Barcelona (Kampion La Liga)
Statusi Sportiv Rënie nga Premier League Titull Kampion në Spanjë
Pagesa e Vitit të Parë ~£49 Milionë ~€58M / £46–48 Milionë
Pagesa Totale (3 Vite) £90–100 Milionë Nuk aplikon (Vetëm ky sezon)
Burimi i të Ardhurave Fondi i Ndihmës “Parashutë” Shpërndarja e të Drejtave TV

Analiza e së ardhmes së futbollit

Ky paradoks nuk është thjesht një kuriozitet statistikor për të bërë lajm, por pasqyrimi më i qartë i një realiteti të ri: Premier League është kthyer në një “Superligë” de facto. Diferenca pritet vetëm të thellohet, duke treguar se sot në Europë, të dështosh në kampionatin anglez vlen financiarisht më shumë se sa të shpallesh mbret i futbollit në pjesën tjetër të kontinentit.

Top Channel