Punimet në rrugë bllokojnë Mëzezin/ Banorët e zonës ankohen për pluhur e trafik të rënduar, i gjithë asfaltimi mbyllet në nëntor

18/05/2026 15:22

Punimet që kanë nisur për asfaltimin e rrugës “7 Nëntori” në Mëzez janë kthyer në shqetësim serioz për banorët e zonës dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve, të cilët përdorin këtë rrugë për të shkuar drejt Tiranës dhe anasjelltas.

Trafik, pluhur, makina që bien nëpër gropa. “Tmerr, na mbyti pluhuri. Punojnë vetëm dy punëtorë. Pse nuk punojnë natën? Në fundjavë? Ka një muaj që ka nisur”, shprehet një banor.

Punimet për asfaltimin e rrugës “7 Nëntori” në Mëzez po kryhen nga firma “Gega”, e cila duket se nuk llogarit aspak shqetësimin që ka krijuar për banorët dhe bizneset në zonë, pasi punimet po i kryen me ritme shumë të ngadalta.

Top Channel kontakoi Bashkinë e Tiranës, e cila tha se punimet për asfaltimin e kësaj rruge kanë nisur më 15 prill dhe kanë si afat 9 muaj, çka do të thotë që rruga do të dorëzohet në nëntor.

Të njëjtat burime thonë se, për shkak të trafikut që krijohet në rrugë, këtë të hënë i është komunikuar firmës “Gega” të punojë gjatë orëve të natës dhe të përshpejtojë ritmin e punimeve, në mënyrë që një pjesë e asfaltimit të mund të përfundojë në muajin qershor.

Top Channel