Bundesliga uli siparin e saj në fundjavën që sapo u mbyll dhe tani Bayerni i Mynihut po fokusohet te rinovimet me futbollistët e tij dhe planifikimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Një prej emrave që po përmendet më shumë është ai i Harry Kane, që është një element shumë i rëndësishëm për kampionët e Gjermanisë. Sulmuesi anglez pati një sezon të shkëlqyer duke shënuar 36 gola dhe dhënë 5 asist në kampionatin gjerman dhe është shumë pranë fitores së trofeut të Këpucës së Artë dhe tani objektivi i radhës i tij është të fitojë Botërorin me Anglinë.

Bayerni i Mynihut e mori Harry Kane nga Tottenham në vitin 2023 për 95 milionë euro dhe drejtuesit e klubit janë shumë të kënaqur me rendimentin e tij. Sipas ‘Kicker’, sulmuesi ka nënshkruar deri në vitin 2027, por atij i është ofruar rinovimi i kontratës deri në 2029 edhe pse vetë Kane do të donte të zgjaste bashkëpunimin deri në 2030. Si Bayerni ashtu edhe Kane janë të ndërgjegjshëm për faktin se për 32 vjeçarin kanë shfaqur interesin klube të mëdha evropiane, ndërsa klube të tjerë të huaja me shumë fuqi ekonomike po ndjekin nga afër situatën e tij. Ekipet e interesuara për anglezin do të presin përfundimin e Botërorit për të paraqitur ofertat e mundshme

Nga ana e tij, Harry Kanë është shumë i kënaqur në Mynih dhe prioriteti i tij është që të qëndrojë. Sulmuesi i Tre Luanëve është i lumtur me zhvillimin e tij futbollistik, me titujt e fituar dhe synon të triumfojë edhe në Ligën e Kampioneve me Bayernin e Mynihut. Ka shumë aspekte që favorizojnë qëndrimin e tij, por është një faktor që mund të ndikojë në rinovimin e tij, që është paga. Paga e lartë e Jamal Musialas komplikon çështjen e zgjatjes së kontratës së anglezit dhe rinovimet e tjera të mundshme, si ai i Michael Olise që konsiderohet i pashitshëm nga bavarezët. Për këtë arsye bisedimet për të ardhmen e Kane mund të zgjaten pak, megjithatë Bayerni i Mynihut e ka situatën në kontroll dhe në këte moment duket se Kane nuk do të largohet nga Gjermania.

Top Channel