Bayerni i Mynihut e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin në Bundesligën gjermane. Skuadra bavareze që prej pak javësh e siguroi matematikisht titullin e saj kampion të Gjermanisë, fitoi në ndeshjen e fundit ndaj Këlnit me një manita, 5-1 për të mbyllur kampionatin me plot 122 gola të shënuar, nga të cilët 36 i ka shënuar vetëm Harry Kane dhe me një golavarazh +86, shifra këto që tregojnë dominimin total të skuadrës së drejtuar nga Vincent Kompany.

Në ditën e lamtumiurës së Goretzkës, Guerreiros dhe Nicolas Jackson, Bayerni nuk pati mëshirë për Këlnin teksa shënoi 5 herë, me Harry Kane që shënoi një tregolësh, ndërkohe që gjetën rrugën e rrjetës edhe Tom Bischof dhe pikërisht Nicolas Jackson për t’i dhënë lamtumirën skuadrës bavareze në mënyrën më të mirë të mundshme. Said El Mala shënoi golin e nderit për Këlnin, ndërkohë që pas ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së trofeut të kampionit për Bayernin

Këtë të dielë në kampionatin gjerman u dhanë edhe verdiktet e tjera që kishin mbetur pa u dhënë. Verdiktet e këtij sezoni në Bundesligë

Kampion: Bayern Mynih

Në Champions: Borussia Dortmund, Leipzig dhe Stuttgart (që barazoi 2-2 me Eintracht duke blinduar vendin e katërt)

Në Europa League: Hoffenheim dhe Bayer Leverkusen

Në Conference League: Freiburg (që do të luaje edhe finalen e Europa League kështu që mund të bëhet skuadra e 5 gjermane në Champions)

Ranë nga kategoria: St. Pauli dhe Heidenheim

Në playout: Wolfsburg

Top Channel