Kontroll i befasishëm në burgun e Durrësit, sekuestrohet një iPhone së bashku me karikuesin
Qëndresa Qytetare ka ndërmarrë një nismë ku propozon një ligj për trajtimet jashtë vendit për fëmijët 0-18 vjeç.
I ftuar në “Wake Up”, përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, ka treguar detajet e këtij ligji të propozuar, ku fëmijët me sëmundje akute të mos trajtohen me GoFundMe, por me ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për t’u shpëtuar jeta me kurime jashtë vendit.
“Kjo është një nismë ndaj një iniciative të një grupi qytetarësh nga Korça, të cilët janë bërë bashkë. Ata janë nisur nga një rast i një kolegu të tyre, ku për muaj të tërë nuk po gjente dot diagnozën e fëmijës së tij. Me kostot e veta, e çon fëmijën jashtë vendit dhe kupton që këto histori të fëmijëve që kanë nevoja të veçanta për t’u kuruar apo specializuar, shpeshherë për shqiptarët, për ata që kanë një lloj ekonomie, të varfërohen, pra të shkrijnë çdo gjë për të kuruar fëmijën, ose në rastin që nuk kanë dhe kanë humbur familjarët e tyre, ose gjejnë forma alternative të financimit për kurim jashtë vendit. Raste si GoFundMe ose në emisione që ndihmojnë shqiptarët, dhe kjo është një gjë fantastike, sensibilizimin që kanë me njëri-tjetrin.
Pyetja e madhe është: A mundet vetëm kjo të jetë mënyra e shpëtimit? Po ata që nuk e kuptojnë GoFundMe apo elementet e ndryshme të qytetarëve, a mund të kenë rrezik për jetën? Ne mendojmë që jo. Duke propozuar një ligj, do të duhet që shteti jonë të jetë pro-aktiv. Në momentin që identifikon një fëmijë që nuk po e diagnostikon dot, thirret në ndihmë një institucion i huaj, dhe shpenzimet përballohen nga shteti.
Kjo është mënyra e qëndrueshme, mendojmë ne, që ta marrim këtë shërbim. Ne kemi propozuar një buxhet që duhet të jetë specifik për fëmijët nga 0-18 vjeç, me ligjin e ri që propozojmë dhe duam t’ia paraqesim Kuvendit, ku të ketë një buxhet të caktuar nga mënyra se si ne i kemi llogaritur, se sa raste ka. Kemi kuptuar që mund të shkojnë nga 60 raste, të cilat mund t’i krijojnë një kosto deri në 5 milionë euro, sistemit shëndetësor deri në 10 milionë euro. Megjithëse kjo nuk duhet të jetë çështje financiare, sepse jeta është më e rëndësishme”, u shpreh Qiraxhi.
Top Channel