Teksa afron fundi i sezonit, Premier League ka përcaktuar emrat e trajnerëve kandidatë për të fituar çmimin e trajnerit më të mirë të kampionatit dhe në këtë garë dominojnë ata spanjollë teksa 3 nga kandidatët janë nga vendi iberik.

Mikel Arteta i Arsenalit, Pep Guardiola i Manchester City dhe Andoni Iraola i Bournemouth janë kandidatët për të fituar këtë çmim duke lënë jashtë gare në mënyrë surprizë, Unai Emery që me Aston Villan e tij për momentin është në vendin  e pestë të klasifikimit me pikë të barabarta me Liverpool.

Mikel Arteta është favoriti për të fituar këtë çmim me Arsenalin që është 2 ndeshje larg titullit të Premier League që klubit londinez i mungon prej 22 vitesh. Por Guardiola është aty pranë, gati për të përfituar nga ndonjë hap fals i Topçinjve në dy ndeshjet e fundit për të fituar titullin e 7 kampion të Anglisë

Trajneri katalanas e ka fituar çmimin si trajneri më i mirë i Premier League në 5 raste, ndërsa për Artetën dhe të tjerët do të ishte i pari. Përsa i përket Andoni Iraola, trajneri bask është shumë pranë drejtimit të Bournemouthit drejt një kualifikimi historik në kompeticionet evropiane. Aktualisht Bournemouth është në vendin e 6 të klasifikimit dhe ka shanse të hyjë edhe në zonën Champions nëse Aston Villa e mbyll në vendin e pestë dhe fiton Europa League. Iraola po përfundon sezonin më të mirë të Bournemouth në të gjithë historinë e tij edhe pse gjatë muajve të verës u desh të shesë Dean Huijsen, Illia Zabarnyi, Milos Kerkez dhe Dango Ouattara, ndërsa në janar shiti Antoine Semenyo.

Tre kandidatët e tjerë të nominuar për çmimin e trajnerit më të mirë janë Michael Carrick, i cili e ringjalli Manchester United duke e kualifikuar për në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm; Keith Andreës, që në sezonin e tij të parë me Brentford është shumë pranë kualifikimit për në zonën evropiane dhe Regis Le Bris i Sunderland. Fituesi do të dalë nga votat e publikut dhe një panel ekspertësh.

Top Channel