Fiks Fare/ “60 mijë paund për letra angleze”, qytetari denoncon mashtrimin: Morën paratë dhe na lanë në borxhe
Xhuljana Muçaj, nënë e tre fëmijëve nga fshati Osoj i Skraparit, jeton prej muajsh mes dhimbjes, sakrificës dhe shpresës. E detyruar të largohet nga fshati për të qenë më pranë spitaleve dhe shërbimeve shëndetësore, ajo është zhvendosur në Tiranë bashkë me familjen, duke nisur një betejë të përditshme për mbijetesë.
Xhuljana kujdeset e vetme për dy djemtë e saj të sëmurë. Djali i madh, 20 vjeç, vuan nga autizmi dhe probleme neurologjike, ndërsa djali i vogël, 15 vjeç, është i paralizuar dhe përballet me probleme të shëndetit mendor, që shpesh e bëjnë agresiv. “ Edhe pse i jap ilaçët rregullisht kur bëhet agresiv të kafshon dhe të shkul flokët” pohon nëna me lot në sy. Mes gjithë vështirësive, Xhuljana kujdeset edhe për vajzën 4-vjeçare dhe vjehrrën 78-vjeçare.
Familja prej gjashtë anëtarësh jeton me qira në Tiranë, ndërsa të ardhurat nga KEMP-i i dy djemve nuk mjaftojnë për të përballuar ilaçet, pampersat, ushqimet, detergjentët, energjinë elektrike dhe qiranë. Bashkëshorti punon me ditë dhe me orar të kufizuar, pasi shpesh duhet të jetë pranë familjes për të ndihmuar në momentet më të vështira.

Mes lotësh, Xhuljana rrëfen se jeta e saj është kthyer në një sakrificë pa fund. Ajo nuk mund të punojë, pasi djemtë kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe nuk mund të lihen vetëm asnjë moment. Çdo ditë ajo mban në krahë djalin që nuk ecën dot dhe përballet me gjendjen e rënduar të djalit tjetër, duke u ndjerë, siç thotë vetë, “e lidhur këmbë e duar”.

Dëshira më e madhe e saj është vetëm një banesë e sigurt për fëmijët, që të mos detyrohet më të endet nga një shtëpi me qira në tjetrën. “ Me ato lekë që paguaj qiranë të paktën të ngop fëmijët e mi” shprehet ajo.

Pas evidentimit të rastit nga emisioni “Fiks Fare”, erdhi edhe reagimi human i Fondacionit Firdeus. Përfaqësuesi i fondacionit, Ilir Hoxholli, deklaroi se fondacioni do të mbulojë pagesën e qirasë për një vit dhe do të sigurojë ushqime për familjen, ndërsa premtoi se rasti do të mbahet në vëmendje edhe në vijim.

Mes emocionesh dhe lotësh, Xhuljana falenderoi “Fiks Fare” dhe Fondacionin Firdeus për ndihmën e dhënë, duke thënë se për familjen e saj çdo mbështetje është jetike.

Top Channel