Tritoli në lokalin e Noizyt/ Artan Tafani vijon dëshminë: Laerti kishte maskë plastike dhe paruke, mua më leu e dashura e tij dhe u nisëm për në…
Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, po dëshmon në Gjykatën e Posaçme për tritolin e vendosur në lokalin e reperit të njohur Noizy, emri i vërtetë Rigels Rajku.
Sipas dëshmisë së tij, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anhila Hoxha, ngjarja ka nisur pas një përplasjeje në rrjetin social TikTok mes Kleviol Ahmetit dhe Noizyt, e cila më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik dhe plan për hakmarrje.
Tafani ka deklaruar se grupi është mbledhur në zonën e Astirit, ku sipas tij janë diskutuar planet. Ai tha se Laerti, ka insistuar për vendosjen e eksplozivit në lokalin e reperit.
Tafani ka rrëfyer se fillimisht ishte menduar vendosja e lëndës plasëse brenda lokalit, por më pas plani është ndryshuar dhe eksplozivi është lënë pranë një dyqani poshtë godinës, ku është ndezur fitili dhe është braktisur vendi i ngjarjes.
Dëshmia e Artan Tafanit: Kemi ndenjur në Astir. Gjatë kësaj kohe Laerti ndiqte TikTok-un. Kleviol Ahmeti është nga Lushnja, te lagjja e Laertit. Atë ditë Kleviol Ahmeti është zënë me Noizyn. Janë ofenduar në TikTok. Kanë shkuar edhe te lokali dhe janë zënë. Klevioli dhe Laerti janë rritur bashkë. Nuk i erdhi mirë Laertit që ishte rrahur Klevioli. Laerti po thoshte t’i vendosim tritol Noizyt pse ka rrahur Noizyn. Vëllai i Laertit, Luisi, po diskutonte nga Gjermania në kamera me Laertin. I tha vëllai: çfarë bëni, mos bëni gabim ta vendosni. Në një moment e lanë. Mori nëna e Laertit në telefon, po diskutonin për goditjen e Laertit. Gjynah si e goditi Noizy Kleviolin. Më tha mua dhe Lulzimin: çohuni vendoseni tritolin. E bëmë gati, kishim tritol në shtëpi. Shkoni në orën 4, tha.
Tritolin e merrnim në Tepelenë. E izoluam me ngjitës, 100–200 gramëshe, i bëra bashkë. U nisëm, përgatitëm makinën, u nisëm me makinën time. E dinte Lulzim Spahia lokalin. Shkuam atje, parkova afër lokalit. Laerti na tha ta hidhnim brenda në lokal tritolin.
Nuk po gjeja nga shkallët nga të hyja në kat të dytë. U ktheva prapë te makina, i them ta vendos te dyqani i rrobave poshtë. Mirë, thotë, vendoseni te dyqani. E vura te dera, ndeza fitilin dhe ika.
SPAK: Mes teje dhe Lulzimit, kush vendosi që eksplozivin ta vendosnit ju? E morët ju përsipër?
Tafani: Laerti vendosi ta hidhja unë. Po herën e parë s’gjeta shkallët, i thashë Lulzimit shko ti ta vendosje. I thotë Laerti: jo, jo, ta vendos unë.
SPAK: Mendon se të ka parë njeri atë natë?
Tafani: Po, ishte një fastfood hapur. Një njeri ishte në banak. Kaluan dhe dy veta aty. Pasi e ndeza ika me vrap unë te makina.
SPAK: Si u mor vesh se Noizy kishte një aktivitet aty?
Tafani: E dinte Laerti dhe Lulzimi.
SPAK: Po ngjarja mes Kleviol Ahmetit dhe Rigelsit, si u mor vesh?
Tafani: Nga TikTok-u, sepse e ndiqte shpesh Laerti Kleviolin. S’kishte çfarë bënte.
Top Channel