Data 13 maj ishte afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave në zgjedhjet për postin e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit që do të mbahen në 22 qershor.

Dhe në fakt këtë të mërkurë u zyrtarizuan 2 kandidaturat për këtë garë që janë Giovanni Malago dhe Giancarlo Abete.

Giovanni Malago, që gëzon mbështetjen e Lega Serie A dhe B, Shoqatës së Futbollistëve dhe Trajnerëve, në mbrëmjen e së martës deklaroi se do të vendoste kandidaturën e tij për të pasuar Gabriele Gravinën të dorëhequr dhe në fakt paraditen e kësaj të mërkure ai e depozitoi kandidaturën përmes të deleguarit të tij.

Po këtë të mërkurë depozitoi kandidaturën e tij edhe Giancarlo Abete, aktualisht presidenti i Ligës së Futbollit Amator, me këtë të fundit që e bëri personalisht këtë proces.

‘Erdha në Federatë për Komitetin e presidencës dhe të Këshillit, siç e kam thënë më parë, paraqes kandidaturën time dhe kështu mund të nisë një fazë debatesh dhe diskutimesh për dokumentat programatikë në mënyrë që të bëjmë rrugëtimin e duhur. Dyzet ditë janë shumë për të diskutuar problemet e futbollit-tha Abete në hyrje të selisë së Federatës Italiane të Futbollit

Tani Federata Italiane e Futbollit ka kohë deri në 22 maj për të publikuar pranimin e kandidaturave të depozituara, një muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve.

Top Channel