Trump para vizitës në Pekin: Iranin e kemi nën kontroll. Nuk kemi nevojë për ndihmë nga Kina

13/05/2026 08:58

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të zhvillojë një “bisedë të gjatë” me presidentin kinez Xi Jinping për luftën me Iranin gjatë vizitës së tij në Pekin, por theksoi se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën e Kinës për t’i dhënë fund konfliktit.

Duke folur për gazetarët para nisjes nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh i bindur për pozicionin amerikan në përballjen me Teheranin. “Nuk mendoj se kemi nevojë për ndihmë me Iranin. Do ta fitojmë në një mënyrë ose në një tjetër. Do ta fitojmë në mënyrë paqësore ose jo”, tha Trump.

I pyetur për mesazhin që do t’i japë Xi Jinpingut lidhur me Iranin, presidenti amerikan tha se lideri kinez ka mbajtur një qëndrim korrekt deri tani. “Mendoj se ai ka qenë relativisht i mirë. Kina merr shumë naftë nga ajo zonë dhe nuk kemi pasur probleme. Ai ka qenë mik i imi”, u shpreh Trump.

Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, presidenti amerikan minimizoi rëndësinë e diskutimeve për Iranin gjatë takimit në Pekin, duke deklaruar se SHBA-të e kanë situatën “shumë nën kontroll”. “Kemi shumë gjëra për të diskutuar. Nuk do të thoja që Irani është tema kryesore, sepse e kemi Iranin shumë nën kontroll. Ose do të bëjmë një marrëveshje, ose ata do të shkatërrohen”, deklaroi Trump.

Top Channel